Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe i nxehtë paradite. Pasdite priten zhvillime të fuqishme të vranësirave të cilat pritet të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Vende-vende priten rrebeshe intensive.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të zi sot pritet të mbajë mot mjaft i paqëndrueshëm. Paradite kryesisht me diell, kurse nga mesdita dhe pasdite priten zhvillime të fuqishme vranësirash konvektive të cilat do të sjellin rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Të martën pritet përkeqësim i mëtutjeshëm i motit për shkak të ardhjes së një fronti të fuqishëm të ftohtë ajror. Kjo vlen sidomos për viset tona kontinentale. Priten vranësira dhe vende-vende edhe reshje dhe rrebeshe shiu kurse kalimthi pritet të kemi edhe erëra të fuqishme nga veriu. Erërat në disa rajone pritet të arrijnë shpejtësinë maksimale rreth 65km/h. Po ashtu priten edhe ulje të temperaturave me përjashtim të viseve mesdhetare të Shqipërisë.

Nga e mërkura pritet përmirësim gradual i motit, kurse nga e enjtja ngritje të temperaturave./Meteoballkan