MPB mohon se ministri Mustafa u rrah me këshilltarin e tij në zyre

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas raportimit të një televizioni se ministri, Ekrem  Mustafa ishte përfshirë në një incident në zyrën e tij.

MPB e quan lajm të rremë dhe tendencioz.

“Për informim objektiv të publikut, ministri vijon të ketë bashkëpunim të fuqishëm me ekipin dhe gjithë stafin e ministrisë dhe agjencive të MPB-së, për çka u është falënderues dhe mirënjohës për punën e mirë të cilën e bëjnë në baza ditore”, thuhet ndër të tjera në sqarim.

Reagimi i plotë:

Reagim lidhur me kronikën televizive të Televizionit “Kohavision” me titull: “Ministri Mustafa përfshihet në një incident në zyrën e tij, e pranon se është “i ashpër” të datës 28 shkurt 2019:

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë dhe profesional, njofton opinionin publik se lajmi i prezantuar në kronikën televizive të Televizionit “Kohavision” me titull: “Ministri Mustafa përfshihet në një incident në zyrën e tij, e pranon se është “i ashpër”, është i pavërtetë dhe tendencioz, qëllimkeq dhe si i tillë tenton të dëmtojë integritetin dhe autoritetin e Ministrit të MPB-së z.Ekrem Mustafa.