MSH arsyetohet për pamjet skandaloze tek qendra e vaksinimit në Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë deklaroi se tollovia e shkaktuar para qendrës së vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë ka ndodhur si pasojë e ardhjes së qytetarëve nga komunat e tjera.

“Grumbullimet e krijuara sot para sallës ‘1 Tetori’, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre”, thotë MSH.

Ministria ka lutur qytetarët e komunave të tjera që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen.

“Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”, vijon MSH.

Ndryshe, në sallën “1 Tetori” vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës në bazë të rekomandimeve konform Planit Shtetëror të vaksinimit.