MSH bën thirrje për vaksinim dhe testim, paralajmëron rritje të rasteve

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se rastet me COVID-19 po shënojnë rritje dhe se mund të rriten akoma më shumë ditëve të ardhshme.

Prandaj, kjo ministri ju bën thirrje qytetarëve që kanë simptoma të testohen duke njoftuar se mund ta bëjnë këtë gjë falas në IKShPK dhe gjashtë qendra rajonale (ku ka teste PCR) dhe mund të bëjnë teste rapide, po ashtu falas, në shumë prej QKMF-ve në vend.

MSH bën thirrje edhe për vaksinim duke thënë se mund t’i marrin falas vaksinat, e sigurta dhe efektive, në krejt qendrat e vaksinimit në Kosovë.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:

Të nderuar qytetarë,

Rastet me COVID-19 po shënojnë rritje dhe sipas projeksioneve të IKShPK, dinamika në rritje pritet të vazhdoj edhe në ditët në vijim.

Ministria e Shëndetësisë përmes institucioneve shëndetësore mundëson qasje të lehtë në:

– vaksina falas, të sigurta dhe efektive në qendrat e vaksinimit në të gjitha komunat, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë,

– teste PCR falas në IKShPK dhe 6 qendrat rajonale (Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan),

– teste rapide falas në shumë prej QKMF-ve,

– trajtim klinik për Covid-19 në QKUK e spitalet regjionale.

Të nderuar qytetarë,

Nëse keni simptoma, lajmërohuni menjëherë në qendrat e testimit, nëse rezultoni pozitivi izolohuni sipas udhëzimeve.

Bartni maskën në mjedise të mbyllura.

Vaksinohuni në qendrën më të afërt të vaksinimit.

Personat e moshës mbi 12 vjeç mund të vaksinohen me dozën e parë, të dytë dhe të tretë të vaksinës kundër COVID-19;Qytetarët e moshës mbi 60 vjeç mund të vaksinohen edhe me dozën e IV-të (katër muaj pas marrjes së dozës së III-të)Fëmijët e moshës 5-11 vjeç me dozën e parë dhe të dytë.