MSH konfirmon donacionin me teste nga Serbia, Dogana thotë se do t’i pranojnë konform ligjit

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar donacionin për IKSHP’në prej 1000 testeve për Covid-19 nga Serbia. Nga Dogana e Kosovës se momentalisht nuk ka pasur procedurë zhdoganimi lidhur me testet nga Serbia në asnjë pikë kufitare dhe kurdo që ato mbërrijnë do të trajtohen konform ligjeve në fuqi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti ka njoftuar përmes Facebook-ut se Serbia do t’i dhurojë Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë 1,000 teste për koronavirus.

“1000 teste të tjera janë marrë donacion nga Serbia. Sot shpallet fituesi edhe për 10 000-13 000 të tjera”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Gazeta Express ka raportuar se MSH ka kërkuar që sot në ora 17:00 të mundësohet hyrja e donacionit. Sipas e mailit që e ka siguruar Gazeta, dergesa do të sillej nga Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë në Prishtinë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci i tha Gazetës Express se deri më tani nuk ka procedurë zhdoganimi për teste të Covid-19 nga Serbia dhe kur ato vijnë do të trajtohen sipas ligjeve.

“Për momentin në asnjë pikë doganore nuk ka një procedurë zhdoganimi për teste të Covid-19 nga Serbia, sidoqoftë edhe nëse vijnë ne i trajtojmë në bazë të legjislacionit tonë, varësisht se si deklarohen donacion apo dërgesë komerciale atë trajtim edhe e marrin”, ka thënë Stavileci.

Ndërkaq, sot ka pasur reagime të shumta ndaj Ministrit në detyrë, Arben Vitia lidhur me numrin e testeve që ka deklaruar se kanë ardhur në Kosovë para 2 jave që kanë qenë rreth 7000 sosh.

Më 28 mars 2020, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka deklaruar se 7000 mijë teste kanë arritur në IKSHPK.

Ndërkaq, në raportimin e IKSHPK’së ditën e djeshme është thënë se nga data 8 shkurt deri më 16 prill 2020 në laboratorin e këtij instituti janë testuar 3915 mostra të dyshimta.

Që i bie se në Kosovë do të duhet të ishin në dispozicion 3085 teste sipas deklaratave të ministrit në detyrë Arben Vitia e jo vetëm 600 te tilla siç ka deklaruar IKSHPK.