Mujka i VV’së pasi u arrestua nën dyshimet për korrupsion: Po më sulmojnë për t’i baltosur sukseset e Kryeministrit

Ish-nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit pasi ishte i dyshuar për korrupsion gjatë kohës sa ushtronte detyrën në vitin 2021.

Ai, me anë të një postimi në Facebook, ka deklaruar se asnjë herë nuk i ka ikur përgjegjësisë së drejtësisë dhe se këtë do ta vazhdojë edhe më tej.

“Por, gjithsesi asnjëherë nuk do të pranoj të jem pre e politikave ditore e partiake dhe që unë të shfrytëzohem për t’u sulmuar e baltosur puna dhe sukseset e Qeverisë në përgjithësi dhe posaçërisht Kryeministrit në veçanti”.

“Rruga që kemi marrë është e gjatë, tepër e vështirë me shumë sfida u kurthe, por fatmirësisht është evidente se po shihet caku. Shumë vetë do të ndihen të turpëruar por mbi të gjitha edhe të çliruar nga puna e lodhshme e shërbyesit të djallit”, ka thënë Mujka.

Në rastin e Mujkës, i dyshuar është edhe Hysen Muzliukaj. Prokuroria Speciale ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy personat të ndaluar, të pandehurit Mujka dhe Muzliukaj, “në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit”.

Po ashtu, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve F.M dhe H.M. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro.