Murati paralajmëron një “boom” në investimet kapitale këtë vit

Ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se viti 2023 ka qenë i duhuri për investimet kapitale, por për vitin 2024 ai paralajmëron një “boom” në këtë trend.

Kështu njoftoi ministri në një postim në llogarinë e tij në Facebook, shkruan klankosova.tv.

“Investimet kapitale në 2023 shënojnë rritje prej 33%, niveli më i lartë ndonjëherë Raporti vjetor tregon se viti 2023 është përmbyllur me rreth 561 milionë euro investime kapitale buxhetore të realizuara. Kjo shënon një rimëkëmbje të theksuar të investimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak, e njëkohësisht edhe shifrën më të lartë të investimeve kapitale të realizuar ndonjëherë. Pas viteve të pandemisë 2020-2021, dhe vitit 2022 kur punëkryersit kishin probleme me koston e materialeve ndërtimore, duket se më në fund viti 2023 ka rikthyer investimet kapitale në binarët e duhur”, ka shkruar Murati..

“Lajmi akoma më i mirë është se trendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të kemi “boom” të investimeve kapitale. Ky rezultat është i mirëpritur pas shumë e shumë punëve në rregullimin e problemeve që ishin trashëguar, me projekte të padizajnuara si duhet dhe pa kryer obligimet e shpronësimit, probleme të cilat për shumicën e projekteve tashmë janë zgjidhur”.

“Deri në vitin 2019, shumica dërrmuese e investimeve kapitale, 150-200 milionë euro në vit, kanë qenë pagesa për vetëm një projekt, atë të autostradës. Prandaj nëse merret edhe ky fakt parasysh, i bie që shuma e investuar për shkolla, spitale, kulturë, sport, siguri e ushtri, ka qenë shumë më e vogël sesa që mund të mendohet në shikim të parë”.

Lini një Përgjigje