Murati përkujton heroin Bahri Fazliu në 22 vjetorin e rënies

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati e ka përkujtuar heroin Bahri Fazliu, në 22 vjetorin e rënies, shkruan Fokusi.info.

“Sot u bën 22 vjet prej që në betejë me pushtuesin shkoi në amshim Bahri Fazliu-Gzimi, njëri prej ideologëve të politikës së luftës çlirimtare në Kosovë, aktivisti, luftëtari i lirisë, poeti, artisti, e mbi të gjitha njeriu i madh. Përpjekjet për liri asnjëherë nuk i ndali, shpresa për forcën e popullit asnjëherë nuk iu zbeh, besimin në fitore e kishte të palëkundur”, ka shkruar Murati.

Postimi i plotë:

Sa i mungon vendit e kombit edhe sot shok!

Sot u bën 22 vjet prej që në betejë me pushtuesin shkoi në amshim Bahri Fazliu-Gzimi, njëri prej ideologëve të politikës së luftës çlirimtare në Kosovë, aktivisti, luftëtari i lirisë, poeti, artisti, e mbi të gjitha njeriu i madh. Përpjekjet për liri asnjëherë nuk i ndali, shpresa për forcën e popullit asnjëherë nuk iu zbeh, besimin në fitore e kishte të palëkundur. I pakompromis ndaj pushtuesit, debatues i zjarrtë e i thellë në funksion të së mirës, demaskues me penë e pushkë i politikës pacifiste që kishte ngulfatur përpjekjet për liri gjatë viteve 90’, i dashuruar në njeriun dhe anën e tij të mirë. Që në rini aktivist në LPRK, më pas me krijimin e LKÇK-së në vitin 1993 do të jetë ndër udhëheqësit e saj e edhe të organit Çlirimi. Rreth pesë vjet ilegal në Prishtinë e kudo në Kosovë, çdo herë në funksion të drejtësisë, barazisë, çlirimit, lirisë e bashkimit kombëtar. Disa ditë të ndan nga marrëveshja historike e 11 majit 1998 në mes të LKÇK-së dhe UÇK-së. Na le keq shok kur re në trekufirin shqiptar, e le keq organizimin e luftën çlirimtare, por edhe na frymëzove e u bëre yll shndritës për luftëtarët e lirisë. Sa i nevojshëm do ishe edhe sot. Vendi e kombi kanë nevojë gjithmonë për ty e për shokët e kalibrit tënd. Pusho i qetë në rininë tënde të përjetshme shok i dashur.