Murati: Shoqëria kosovare nuk duhet të bjerë viktimë e Prokurorisë së Speciales

Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim ka bërë thirrje që shoqëria kosovare të ketë kujdes dhe të mos përçahet, pas nisjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.

Murati ka thënë se elementet politike të Prokurorisë së Speciales (ZPS) mund të jehojnë prapë në opinionin publik për të çuar mesazhe përçarëse. Pret që gjykimi ndaj tyre të jetë një proces i gjatë.

“Një proces që do të jetë goxha i gjatë, madje edhe i mundimshëm për opinionin, në kuptimin që do të ketë elemente mbi kontekstin politik, i cili mund të jehojë prapë në opinionin publik apo për të çuar mesazhe përçarëse. Do duhej të ishim koshient, të mos binim viktimë e qasjes së Prokurorisë. ZPS-ja ka qasje problematike, në mënyrën si e sheh luftën, si e sheh Serbinë agresore, edhe mënyrën se si do ta portretizojë kontekstin politik. Duhet të kemi kujdes”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Pavarësisht që ZPS-ja thotë se nuk po e gjykon luftën e UÇK-së, duke u bazuar në akuzë, Murati thotë se aty kriminalizohet e tërë UÇK-ja.

“Pavarësisht se Prokuroria thotë se nuk po gjykohet lufta e UÇK-së, mënyra si e ka ngrit akuzën dhe si e trajton çështjen e ndërmarrjes publike kriminale, kriminalizon edhe UÇK-në. Kjo është jashtëzakonisht e dukshme. Vetëm ta lexon akuzën apo vetëm me pa qasjen e Prokurorisë”, ka thënë Murati.

Tutje, Murati është shprehur se opinioni publik nuk pret ndonjë drejtësi të veçantë nga kjo gjykatë. Shton se këtë e vërteton dalja masive e qytetarëve në “Marshin për Drejtësi” të dielën.

“Kjo lidhet edhe me një mosbesim ndaj këtij procesi. I kemi pasur dy procese paraprake. Salih Mustafa është dënuar me 26 vjet burg, ndërsa eprorët serbë që kanë qenë përgjegjës për masakrat, dëbimet, krimet kundër njerëzimit, nuk janë dënuar kaq shumë. Hysni Gucati e Nasim Haradinaj dënohen për publikim të dokumentacionit, ndërsa Specialja e pranon në mënyrë eksplicite se ato dokumente kanë rrjedhur nga ata”, ka thënë ai.

Murati ka thënë se përplasjet politike gjatë luftës nuk kanë qenë në funksion të luftës për pushtet, ashtu siç pretendon ZPS-ja. Por thotë se ato janë bërë për rrugën që është dashur të ndiqet për çlirim nga Serbia.

Të martën [sot], përfundoi dita e dytë e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Ata akuzohen për krime lufte.