Murati: S’mund të lejojmë të futen miliarda para të gatshme në Kosovë pa autorizimin e duhur

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Serbia me qëllim tenton të përdorë “miliarda para të pagjurmueshme, sepse ata duan të fshehin se ku po shkojnë paratë”.

Ky reagim i tij vjen pas njoftimit nga Qeveria e Kosovës se Serbia ka tentuar t’i fusë rreth 117 milionë dinarë në Kosovë në përcjelle të individëve që prezantohen me kredenciale të një kompanie inekzistente, me pretendimin se paratë duhet t’i dërgojnë te një entitet po ashtu inekzistent në Kosovë.

Sipas Muratit, shteti i Kosovës nuk mund të lejojë miliarda para të gatshme të hyjnë në Kosovë pa autorizimin e duhur.

“Ne përsërisim edhe një herë gatishmërinë tonë për të ndihmuar në lehtësimin e një procesi ku ndihma financiare u jep atyre që kanë nevojë. Megjithatë, ne nuk mund të lejojmë miliarda para të gatshme të hyjnë në vend pa autorizimin e duhur dhe zbulimin e përfituesve përfundimtarë. Asnjë vend nuk e lejon këtë”, tha ai.

Ai bëri të ditur se “çdo ndihmë financiare mund të kanalizohet drejtpërdrejt në llogaritë bankare të përfituesve dhe të sigurojë transparencë”.
“Banka Qendrore e Kosovës ka ftuar Bankën Kombëtare të Serbisë që të bashkëpunojë në lehtësimin e transferimit të mundshëm të çdo ndihme për familjet e komunitetit serb në Kosovë. Në vend të kësaj, njerëzit pretendojnë se janë përfaqësues. e NBS-së ka tentuar sot të kalojë kufirin tonë duke transportuar 117 milionë RSD në para të gatshme. Ata nuk u lejuan për të mos pasur autorizimin e duhur”, tha Murati.