Vuçiq flet për mesazhin e Radojçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk është e vërtetë që një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është caktuar.

Sipas tij, është Kurti ai që po ikën nga takimet.

“S’është e vërtetë. Nuk më ka pyetur askush. Nuk iki unë nga ndonjë takim, kryesisht ai ka ikur nga takimet. Unë nuk ik”, ka thënë Vuçiq në Ivanjicë, kur është pyetur për raportimet se një takim mes liderëve është caktuar, shkruan “RTV”.

I pyetur për videon e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, se ai është kthyer në Leposaviq, Vuçiqi ka thënë se nuk e kupton mesazhin që ka dashur Radojçiqi ta dërgonte. Ka thënë se nuk ia ndien për mesazhin e tij.

“Nuk më intereson për mesazhin, pyeteni atë. Ata thonë se u paraqit në Leposaviq dhe se u kthye. Epo, ai jeton në “Kosovë e Metohi”, çka ka që të diskutohet”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se nuk i kupton pyetjet për Radojçiqin duke shtuar se kjo “është direkt kundër Serbisë dhe interesave të saj”.

Të martën, Radojçiqi iu adresua publikut me një videomesazh nga veriu i Kosovës. Duke nisur me fjalët se “terrori mbi popullatën serbe ka nisur”, Radojçiqi ka shtuar se është kthyer në veri e se “s’ka më kthim prapa”.