Murati: Të gjitha vendimet Kurti i ka marrë që të mos e zbatojë Asociacionin

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se veprimet e kryeministrit Albin Kurti kanë pasur një synim në vazhdimësi.

Ai ka theksuar se Kurti po bën demagogji politike dhe se veprimet e tij kanë pasur një qëllim që të mos implementohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Potezat që ai i bën në vazhdimësi e ka një qëllim. Targat, zgjedhjet në veri, vendosja në objekte në veri, dinari, të gjitha nëse i shohim të shkëputura duken ‘okej’, por në thelb ato janë të ndërtuar mjeshtërisht nga Kurti me një qëllim, për të mos e implementuar Asociacionin. Deri te çështja e Asociacionit ka ardhur me populizëm, thoshte se bisedimet janë çështje e shtatë, kjo është lojë demagogji e jashtëzakonshme politike”, ka thënë ai në Interaktiv.

Murati ka shtuar se në fillimin e qeverisjes nga SHBA-ja as nuk përmendej Asociacioni, deri në planin franko-gjerman.

“Administrata amerikane dhe Escobari në fillim as nuk e përmendte Asociacionin, thoshin cili është qëllimi i Qeverisë për bisedime, Kurti i injoronte bisedimet dhe erdhi puna deri te na u imponua plani franko-gjerman. Për Kosovën e Kurtin Asociacioni, zbatimi i tij, ka qenë pjesa problematike e marrëveshjes”.

Sipas Muratit, kryeministri po e fut Kosovën sërish në situatë të vështirë me ndërkombëtarët për shkak të dinarit.

“Kosova ka qenë në një pozicion shumë të rëndë po të mos ndodhte Banjska, aty na u krijua një hapësirë, që prapë Kurti po na futë tash me këtë çështjen e dinarit… Serbia e ka problem që Kosova ndërron status, fuqizohet, e për Kurtin kam bindjen që me gjitha lëshimet që i ka bërë, fundi për konceptin si e sheh veten ai, pranimi i Asociacionit. Asociacioni në çfarëdo varianti nuk mund të jetë i dobët, ai nuk bëhet për të qenë asgjë”, ka theksuar ai.

E, ai që mund ta rrëzojë nga pushteti Kurtin, sipas Muratit, është vetë kryeministri me politikbërjen e tij.

“Ai që më së shumti dhe më së lehti ka mundësinë që ta heqë nga froni politik është vetë Kurti me potezat dhe mënyrat e politikbërjes së tij, sidomos me SHBA-në”, ka theksuar ai.