Musliu: Nuk ishte sulm ndaj Pecit, ishte protestë ndaj të pavërtetave që i tha ndaj meje

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur edhe një herë për “incidentin” me Ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin.

Musliu ka mohuar se ka sulmuar ministrin Peci, duke thënë se veprimi i saj duke i hedhur ujin ministrit ishte vetëm protestë ndaj të pavërtetave që Peci kishte thënë për Musliun.

“Nuk ishte sulm, ishte protestë ndaj të pavërtetave që Faton Peci i adresoi ndaj meje. Sot në komisionin parlamentar, pjesë e të cilit jam edhe unë, ishte i ftuar në raportim të rregullt vjetor ministri Faton Peci. Që nga hyrja e tij në sallë e deri te radha ime për të bërë pyetjet për çka ishim të ftuar ai ka provokuar vazhdimisht duke lëshuar fjalë anash”, ka thënë Musliu.

Ajo ka thënë se situata është tensionuar pasi që ministri Peci e kishte injoruar dhe provokuar.

“Ishte një rast kur i adresuam pyetjet ai tha “po i përgjigjem pyetjeve të tjera se këto të Ganes janë pyetje me spec”. Pastaj reagimi tjetër ishte “pyetjet e Ganes janë tendencioze”. Nuk përgjigjej dhe fliste me të tjerë. Unë i kisha bërë pyetjet dhe prisja përgjigje. I reagova kryetares së komisionit Fitore Pacolli dhe i thashë që t’i tërheqë vërejtjen për mënyrën se si po sillej dhe ajo tha se do ta bënte. Unë prita, por nuk e bëri një gjë të tillë. Në momentin kur erdhi radha t’i përgjigjej pyetjeve unë i bëra vetëm tri pyetje. Ai vazhdimisht po thotë se ka shlyer borxhe në vlerë prej 40 milionë euro, prandaj pyetja e parë ishte se nga i ka marrë këto mjete. Nuk e di a ka diçka tendencioze këtu ose joparlamentare apo jashtë profilit të punës sime”, ka deklaruar Musliu në Klan Kosova.