Vijon kërkimi tek hotel ‘Mira Mare’ në Durrës, dyshohet për dy balerina poshtë rrënojave

Operacioni i kërkim-shpëtimit në qytetin e Durrësi vijon ende nën rrënojat e hotel Mira Mare. Nën rrënojat e hotelit dyshohet se janë ende dy vajza, që punonin si balerina. 

Pas tërmetit tragjik me magnitudë 6.4 rihter, që goditi vendin tonë, operacioni i kërkim-shpëtimit në qytetin e Durrësi vijon ende nën rrënojat e hotel Mira Mare. Kjo është e vetmja pikë ku po zhvillohen kërkimet pasi pak pas mesnate u nxorën edhe dy trupat e fundit të pajetë nga rrënojat e dy ndërtesave të shembura në Durrës, atë të Ilir Lalës në vilën 4 katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje, dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek “2 Gjelat” po në qytetin bregdetar.

Në rrënojat e hotel Mira Mare dyshohet se gjenden ende dy vajza të paidentifikuara që dyshohet se punonin si balerina. Deri më tani numri i viktimave që humbën jetën nga tërmeti është tragjik, plotë 50 persona.

Në operacionet e kërkim shpëtimit morën pjesë grupe ekspertësh të huaj të ardhura nga Kosova, Italia, Greqia, Zvicra, Rumania, e Serbia por dhe nga  vende të tjera, të cilat ishin të pajisur me mjete dhe me logjistikë për t’iu ardhur në ndihmë personave poshtë rrënojave.