Musliu: Osmani dhe Kurti të flasin për sigurinë në vend, populli po duket në panik

Siguria kombëtare në vend po vlerësohet të jetë stabile dhe se nuk ka vend për panik. Kështu ka deklaruar sot kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Ganimete Musliu.

Pas raportimit të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajetit, në këtë Komision, deputetja Musliu ka kërkuar një adresim për qytetarët nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti sa i përket sigurisë në Kosovë dhe furnizimit me gjëra ushqimore nga qytetarët.

Ajo duke siguruar se Kosova nuk është e kërcënuar për ndonjë pasiguri, tha se shumë qytetarë duken në panik për furnim me mallra të shumta, përfshirë derivate miell dhe të tjera.

“Shfrytëzoj rastin që përmes jush të kërkoj nga presidentja e Kosovës, por edhe nga kryeministri që të dalin dhe të deklarohen për gjendjen e sigurisë në vend, sepse është vërejtur tek qytetarët një panik e shtuar, të cilët kanë filluar të furnizohen me rezerva të shumta, çka është shqetësuese dhe alarmante kur i shohim pompat e derivateve me rreshta të plotë duke u furnizuar qytetarët me derivate, të mos flasim për miellin dhe për artikuj të tjerë bazë. Edhe për këtë biseduam me drejtorin, ku edhe mesazhi i tij dhe i gjithë Komisionit parlamentar është që mos të ndjellin panik, sepse nuk ka vend për panik. Gjendja është stabile dhe nuk kërcënohemi drejtpërdrejt nga ndonjë pasiguri”, theksoi Musliu.

Deputetja institucionet e sigurisë përfshirë edhe AKI-në janë në krye të detyrës dhe nuk ka vend për shqetësim.

“Dua t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës që nuk ka vend për panik, gjendja e sigurisë në vend është stabile, institucionet sigurisë përfshirë edhe AKI-në janë në gjendje gatishmërie dhe në krye të detyrës. Prandaj, nuk ka vend për panik, gjendja është stabile, e sigurt”, tha ajo.