Mustafa godet ashpër Vjosa Osmanin e Albin Kurtin: Bojkotimi s’iu bëri punë

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka goditur ashpër bashkëpartiaken e tij Vjosa Osmanin dhe ish kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ‘bojkotimi i bashkërendur i tyre, nuk iu bëri punë’.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se derisa Vjosa Osmani i iku përgjegjësisë për ta udhëhequr seancën e Kuvendit, ku u zgjodh Avdullah Hoti kryeministër, Albin Kurti nuk ia dorëzoi detyrën.

Sipas Mustafës, kjo tregoi se Kosova nuk ka pasur kryeministër.

Postimi i plotë:

Bojkotimi i bashkërenditur i znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit dhe z. Albin Kurti, ish Kryeministër, nuk iu bëri punë.

E para iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për Kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i papresedan dhe i papërgjegjshëm.

Sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën Kryeministrit Hoti. Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut qe e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte z. Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetëveten me votën e mbi 2/3 të deputetëve.

Pamja e mëngjesit të sotëm e Kryeministrit Hoti, në ceremonin e nderit të njësisë së FSK-së, flet qartë se para tij nuk kishte Kryeministër. Sepse çdo kryeministër me sjellje normale do t’ia dorëzonte detyrën pasardhësit të tij. IM