“Stenta 3”, pas tre vjetësh konfirmohet aktakuza ndaj drejtorëve dhe mjekëve të spitaleve private

Pas tre vjetësh që kur ishte ngritur aktakuza ndaj disa drejtorëve e mjekëve të disa spitaleve private në Kosovë, më në fund është hapur rruga që të fillojë gjykimi në këtë rast.

Kjo pasi që Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën në rastin e njohur si “Stenta 3”, ku për korrupsion dhe vepra tjera penale po akuzohen, Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri dhe Lulzim Brovina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e Apelit, më 18 nëntor 2019, ka refuzuar ankesat e ushtruara nga të akuzuarit, ashtu që ka lënë në fuqi aktvendimin e shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës.

Fillimisht, të gjithë këta të akuzuar ishin pjesë e një lënde së bashku me të akuzuarit tjerë nga rasti “Stenta 1”, Ferid Agani dhe Gani Shabani, si dhe 45 të akuzuarit tjerë në rastin “Stenta 2”, mirëpo, pasi që Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rivendosje këtë rast, në tetor 2017, gjykata kishte veçuar këtë lëndë në tre pjesë.Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, sërish e kishte konfirmuar aktakuzën e prokurorisë, ndaj të akuzuarve në rastin “Stenta 3”, mirëpo, në nëntor 2018, rasti ishte kthyer sërish në rivendosje nga Gjykata e Apelit.

Pas kthimit në rivendosje për herë të dytë, gjykata e shkallës së parë kishte mbajtur seancë në këtë rast, ku prokurorja e çështjes, Florije Salihu-Shamolli, kishte qëndruar prapa aktakuzës, kurse mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar që aktakuza të hudhet poshtë.

Më 9 korrik 2019, gjykata e shkallës së parë kishte vendosur që të refuzojë ankesat e të akuzuarve, ndërsa e kishte lënë në fuqi aktakuzën ndaj tyre.Kundër aktvendimit të Themelores, të akuzuarit me mbrojtësit e tyre, i ishin drejtuar sërish me ankesa Apelit, nga e cila kishin kërkuar që të hudhë poshtë aktakuzën ndaj tyre, ose rastin ta kthejë përsëri në shkallë të parë për rivendosje.

Mirëpo, këto ankesa i ka hudhur poshtë si të pabazuara Apeli, duke i hapur rrugë kështu fillimit të gjykimit në këtë rast.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të mbrojtësve së të akuzuarve nuk janë të bazuara sepse, shkalla e parë me aktvendimin e atakuar për hedhjen e aktakuzës është kujdesur sipas thënieve nga kundërshtimet që të vlerësojë dhe në mënyrë të drejtë, sipas Apelit, ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur, mbështetet në prova dhe të marra sipas dispozitave ligjore dhe se nuk ka vend për hudhjen e aktakuzës.

“Veprat penale për të cilët akuzohen të pandehurit, paraqesin vepër penale, nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, nuk ka arritur afati i parashkrimit dhe nuk ka rrethana të tjera që e pengojnë ndjekjen penale, dhe ka prova të mjaftueshme për një dyshim të bazuar mirë se te pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilët akuzohet, ndërsa tani nuk ka argumente bindëse dhe që nuk përmbajnë asnjërën prej bazave ligjore për të cilën mund të hedhet aktakuza, ashtu siç kërkohet me dispozitat e nenit 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të KPPK-së.”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas Apelit, Gjykata Themelore ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe drejtë ka vlerësuar se ka prova të mjaftueshme se nga veprimet e përshkruara në aktakuzë ekzistojnë elementet qenësore të veprave penale, për të cilën janë ngarkuar të akuzuarit dhe se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se janë kryer veprat penale me të cilën ngarkohen të akuzuarit.Apeli i ka vlerësuar si të pabazuara edhe pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve të cilët kishin pretenduar se shkresat nuk u ishin dorëzuar në gjuhën amtare të tyre, duke qenë se në këtë rast, disa të akuzuar janë nga Maqedonia dhe Turqia.

“Gjithashtu nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësve te pandehurve, ne lidhje me dorëzimin e shkresave në gjuhën e të pandehurve që janë në procedurë, sepse në shkresat e lëndës evidentohen se janë përkthyer në gjuhen e të pandehurve (maqedonase dhe turke) dhe janë dorëzuar ne mënyre te rregullt. Njëkohësisht gjatë gjithë rrjedhës se zhvillimit te procedurës në bazë të shkresave të lendes qe posedon kjo gjykata, është vërejtur se gjatë seancave gjyqësore kane qen edhe përkthyesit gjyqësor për gjuhen maqedonase dhe turke, andaj pretendime e tilla janë të pabazuara.”, thuhet në vendimin e Apelit.Në rastin “Stenta 3”, janë të përfshirë të akuzuarit Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri dhe Lulzim Brovina.Të akuzuar në këtë rast janë edhe tre persona juridik, përkatësisht spitalet private “International Medicine Hospital”, “Intermed” dhe “Doktor”.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat që kanë të bëjnë me veprat penale, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

Të akuzuarit Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i KPRK-së.Bakiqi, Tuna, Sylejmani dhe Beqiri pretendohet nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe me mjekët tani të akuzuar në rastin “Stenta 2”, ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH.

Ndërsa për këto veprime të njëjtit pretendohet se u jepnin ryshfet ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.

Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit po akuzohen edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjek në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacient me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.Lulzim Brovina, Borche Petrovski dhe Blerim Zuna akuzohen se në periudhën nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, në bashkëkryerje me njëri tjetrin kanë ushtruar në mënyrë të kundërligjshme veprimet mjekësore në atë mënyrë që duke punuar në spitalin “Intermed”, koha pas kohe i pa licensuar, dhe duke vepruar edhe vet kohë pas kohe si mjek të pa licensuar, kanë trajtuar pacientë me ç’rast edhe kanë përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësorKurse, spitalet private “IMH”, “Intermed”, po akuzohen për dhënie ryshfeti dhe trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Për dhënie ryshfeti po akuzohet edhe spitali privat “Doktor”.Që të tri këto spitale akuzohen edhe për veprën penale “shmangia nga tatimi”.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agan dhe ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 45 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar të mbajtur në shkurt 2018.Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë.

Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kundër këtij vendimi, Agani dhe Shabani janë ankuar, ashtu që kjo lëndë tashmë është në pritje të vendosjes nga Gjykata e Apelit.Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 2”, ku janë të përfshirë mjekë nga spitalet publike është në vazhdim e sipër në shkallën e parë.Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë.

Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.