Mustafi i reagon Vuçiqit: Deklaratat po nxisin tensione, janë mbi 100 mijë shqiptarë të regjistruar

Më 1 tetor ka nisur regjistrimi i popullsisë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, u kanë bërë thirrje shqiptarëve vazhdimisht për regjistrim.

Ky regjistrimi do të zgjasë edhe 5 ditë.

Për regjistrimin e shqiptarëve është shqetësuar sot presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka thënë se është alarmuar nga statistikat e regjistrimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke thënë se shumë familje regjistrojnë anëtar që nuk jetojnë në Serbi.

Por, një gjë të tillë po e kundërshton kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi.

Ai këto deklarata të Vuçiqit po i vlerëson nxitëse për tensionim të situatës.

Mustafi tha për Front Online se presidenti serb dëshiron ta devijon numrin real të shqiptarëve.

“Deklaratat e Vuçiqit janë të papranueshme, ai duhet ta dijë që në Luginën e Preshevës nuk aq qytetarë sa dëshiron ai. Deklaratat e tilla përveç që nuk ndihmojnë procesin e regjistrimit janë edhe nxitëse për tensione të situatës. Deklarimit e tij nuk mund të kuptohen ndryshe përveç si shqetësim për të devijuar numrin real të shqiptarëve deri në përfundim të procesit”, tha Mustafi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi ka deklaruar edhe numrin e qytetarëve që janë regjistruar deri më sot.

Sipas Mustafit, ky regjistrim ka një rëndësi të veçantë.

“Diku mbi 50 mijë në Preshevë, mbi 50 mijë edhe në Bujanoc dhe 6 mijë në Medevegjë. Ky regjistrim ka një rëndësi të veçantë për përgjigje ndaj diskriminimit të imponuar për shqiptarët nga Serbia”, potencoi Mustafi.

Nagip Arifi: Vuçiq po i nxitë shqiptarët për mosregjistrim të popullsisë, politikë e njëjtë me Millosheviçin

Deklaratat nxitëse të Vuçiqit për regjistrimin e popullsisë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc i ka komentuar edhe kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi.

Arifi tha për Front Online se Vuçiq po i nxitë shqiptarët për mos regjistrim të popullsisë.

Sipas tij, kjo politikë është e njëjtë me Millosheviç.

“Nuk është hera e parë që Vuçiq jep këso deklarate për qytetarët, ai është një nxitës ndaj shqiptarëve dhe ka të bëjë me politikën e njëjtë të cilën e ka pasur Millosheviç ndaj shqiptarëve”, tha Arifi.

Në lidhje me vijimin e procesit të regjistrimit të popullsisë në Bujanoc, Arifi tha se ka një interesim të madh nga qytetarët.

I pari i Bujanocit tha se nga 1 tetori deri më sot janë regjistruar mbi 12 mijë familje në këtë komunë.

“Është një interesim jashtëzakonisht i madh i qytetarëve, në komunën tonë deri tani janë regjistruar 51, 246 persona kjo është statistikë zyrtarë e cila është e datës 26 tetor e orës 07:00 të mëngjesit, deri më tash janë regjistruar 12,348 familje kurse sipas shënimeve të entit republikan statistikor gjithsej në komunën tonë janë 13,411 familje kjo do të thotë se kanë mbetur pa u regjistruar edhe disa familje që kanë kohë edhe 4 ditë që të bëjnë regjistrimin”, tha Arifi.

Arifi ka thënë se ky proces i regjistrimit është i rëndësishëm për t’i treguar Botës se sa shqiptarë jemi.

“Regjistrimi i popullatës është me rëndësi shumë, rritet numri i të punësuarve në organet shtetërore dhe lokale dhe ajo që është me rëndësi i tregojmë të gjithë botës së sa shqiptarë janë sepse Serbia ka luajtur gjithmonë me numrat e qytetarëve në aspektin negativ”, u shpreh Arifi.

Çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve është ngritur së fundi edhe nga institucionet ndërkombëtare, të cilat e kanë kritikuar Serbinë për një veprim të tillë.

Rezultatet preliminare të regjistrimit do të publikohen brenda 30 ditëve pas përfundimit të regjistrimit, ndërsa rezultatet përfundimtare do të dalin pjesë-pjesë, duke filluar nga marsi ose prilli i vitit të ardhshëm.

Regjistrimi i popullsisë në Serbi ka qenë i paraparë të bëhet në vitin 2021, por është shtyrë për këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.