Muzeu Historik Kombëtar, interes për vizitorët e huaj (foto)

Muzeu Historik Kombëtar vijon të mbetet atraksioni kulturor dhe historik për vizitorët vendas dhe të huaj edhe gjatë ditëve të nxehta të verës. Vizitorë të huaj dhe vendas janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.

Gjatë këtyre ditëve Muzeu Historik Kombëtar është vizituar nga një grup turistësh nga Kina të cilët kanë zhvilluar një itinerar informues përmes objekteve të pasqyruara në këtë muze dhe kanë marrë informacion për vlerën e tyre historike dhe kulturore.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar i tillë, që prezantimi të bëhet nëpërmjet tetë pavijoneve: pavioni i Lashtësisë, i Mesjetës, i Rilindjes Kombëtare, i Pavarësisë, i Ikonave, i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, i Terrorit Komunist dhe ai i Nënë Terezës. Detyra parësore e muzeut është zhvillimi i rolit edukativ për të tërhequr audiencë të gjerë nga komuniteti vendas si dhe nga turistët e huaj.

Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai përfton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimi.

Këto ditë në Muzeun Historik Kombëtar u çel dhe ekspozita me titull “Trashëgimia shpirtërore përmes instrumenteve muzikore”. Ekspozita është e përbërë me objekte origjinale nga fondi i muzeut. Ekspozita u çel me qëllimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë shpirtërore të krijuar nga shqiptarët ndër shekuj. Këto vlera, unike dhe të shumëllojshme për nga mënyra e krijimit, përçimit dhe realizimit të tyre, përbëjnë një nga shtyllat e identitetit kulturor të shqiptarëve./atsh