Nagavci: Lista Serbe në qeverinë Kurti do ta ketë një ministri, por nuk do të jemi në koalicion me ta

Anëtarja e kryesisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se ne do t’i respektojmë të gjitha obligimet kushtetuese, që i bien se duhet të jenë dy ministri të udhëhequra nga përfaqësuesit e subjekteve jo shumicë. Por, në asnjë moment Qeveria Kurti nuk do të jetë e kushtëzuar nga Lista Serbe. Pra, një ministër nga Lista Serbe do të jetë por jo koalicion me LVV-në”.

Nagavci në një në një intervistë për emisionin “Përballje ditore”, me gazetarin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, ka thënë se Lista Serbe nuk do të jetë pjesë e këtij koalicioni.

Ajo ka folur edhe për tema tjera si marrëveshja finale ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, ndarjen e ministrive, prioritetet e qeverisjes së ardhshme.

“Që para zgjedhjeve e kemi bërë të qartë që në qeverisjen e ardhshme synojmë të jetë opozita e kaluar, pra LVV dhe LDK. Kjo është vendosur nga qytetarët dhe në këtë drejtim pas rezultateve preliminare, kryetari Kurti ka takuar përfaqësuesit e të gjitha subjekteve pakicë, ku ka zhvilluar diskutime me të gjithë. Kemi rikonfirmuar qëndrimin e hershëm dhe Lista Serbe nuk do të jetë pjesë e qeverisë. Ne do të respektojmë të gjitha obligimet kushtetuese, që i bien se duhet të jenë dy ministri të udhëhequra nga përfaqësuesit e subjekteve jo shumicë. Por, në asnjë moment Qeveria Kurti nuk do të jetë e kushtëzuar nga Lista Serbe. Pra, një ministër nga Lista Serbe do të jetë por jo koalicion me LVV-në”, ka thënë ajo.

Sipas saj sabotime nga Lista Serbe ka pasur edhe në qeverisjen e kaluar, ku përmendi daljen e kësaj të fundit që ishte pjesë e koalicioni qeverisës, udhëheqës i të cilit ishte kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

“Lista Serbe vazhdimisht ka sabotuar punën e saj. Ka pasur raste kur kemi pritur 6 orë në qeverisjen e kaluar që deputetët e Listës Serbe të vijnë në Kuvend. Ndërsa pas vendosjes së taksës nga qeveria ku edhe ata ishin pjesë, dolën nga koalicioni dhe qeveria vazhdojë prapë punën. Ne besojmë që respektimi i Kushtetutës pa marrë parasysh dallimet etnike janë mundësia më e mirë e qeverisjes, mirëpo pa shantazhime”, ka thënë ajo.