Osmani: Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për mediumin italian “La Repubblica”, duke folur për zhvillimet e fundit në veri, ka thënë se Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull që është i gatshëm për ta mbrojtur lirinë me çdo kusht.

Osmani ka thënë se Serbia kreu një akt agresioni të dielën e shkuar, ku një grup prej 30 personave terroristë serbë sulmuan Policinë e Kosovës.

“Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe se NATO është me ne”, tha presidentja Osmani në një intervistë për mediumin italian.

Ajo ka shtuar se e Serbia po përgatitet të kryejë një tjetër sulm, duke dërguar ushtrinë afër kufirit.

“Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më datën 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke përforcuar forcat e armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë”, tha Osmani.