NATO ndërhyri në Kosovë për të shpëtuar një popull nga shfarosja

Spastrimi etnik i Kosovës, vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve por edhe dhunimet, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë nuk mund të merrnin përgjigje tjetër përveç intervenimit të NATO-s, e cila nuk ishte rreshtuar vetëm me popullin të Kosovës por edhe me anën e duhur të historisë së njerizimit.

Kështu u tha në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 23-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ku u theksua se ky intervenim ishte edhe mbështetje për rrugën e drejt të UÇK-së për liri.

Seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Ndërkohë, u tha se ajo ishte forca kryesore shtytëse për ndaljen e gjenocidit që po bëhej nga shteti serb mbi popullin e Kosovës. Gjithashtu, u lëshuar një video e Albright gjatë adresimeve që kishte për fatin e popullit tonë, e gjithashtu komandanti i NATO-s, gjenerali Wesly Clark përmes një adresimi iu drejtua popullit të Kosovës, duke thënë se në këtë datë në vitin 1999, NATO hyri në Kosovë dhe ndryshoi historinë e Kosovës dhe Evropës.

“I është dhënë shpresë dhe dritë gjithë botës. Por jam shumë krenar për të gjithë ju në Kosovë për demokratizimin që keni bërë, për zhvillimin ekonomik sfidues që keni ndërmarrë dhe veçanërisht mirënjohës për miqësinë e jashtëzakonshme që keni treguar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për mua ishte nder të jem komandant i NATO-s dhe që pata mundësinë të ndihmojë në ndalimin e spastrimit etnik”, tha ai, duke shtuar se para 23 viteve bënë gjënë e duhur për Kosovën, NATO-n dhe botën.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se 23 vjet më parë, 19 vende të NATO-s u bashkuan për ta ndalur gjenocidin që pati nisur në Kosovë regjimi i Beogradit.

Sipas tij, intervenimi ishte i drejt dhe i domosdoshëm pasi regjimi nuk kuptonte gjuhë tjetër.

“Sot ende i kemi mbi 1600 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, 12 mijë civil të paarmatosur janë vrarë, mbi 10 përqind të tyre fëmijë dhe ende nuk ka drejtësi për të gjitha këto mizori. 23 vjet pas përfundimit të luftës, fqinji jonë verior as nuk kërkon falje, as nuk do që t’i kuptojë e t’i pranojë përmasat e krimeve të veta në Kosovë. Në vend që të hap arkivat shtetërore që do të mund të ndriçonin fatin e të zhdukurve me dhunë dhe të zbuloheshin ekzekutorët e krimeve, pushtetarët e Serbisë arsyetojnë veprimet gjenocidiale të Millosheviqit dhe fajësojnë NATO-n për bombardimeve. Pas agresionit rus në Ukrainë, së bashku me Rusinë po e keqinterpretojnë edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke aluduar në ngjashmëri të rasteve si përpjekje për ta justifikuar imprealizimin dhe aspiratat e tyre hegjemoniste. NATO ndërhyri në Kosovë për arsye e me qëllime humanitare, për të shpëtuar një popull nga shfarosja. Ishte ndërhyrje legjitime për shkak se Millosheviqi nuk shprehte gatishmëri për të përmbushur kërkesat dhe detyrimet që buronin nga rezolutat e miratuara në OKB dhe as nuk hiqte dorë nga operacionet ushtarake dhe nga politika e spastrimit etnik në Kosovë “, tha Kurti.

Ai shtoi se lufta e UÇK-së ndërgjegjësoi bashkësinë ndërkombëtare për të ndërhyrë në Kosovë. Kurti duke u ndalur te një deklaratë e ish sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, e cila kishte thënë se është jetike të kuptohet se edhe nëse kriza humanitare shmanget, kriza politike mbetet dhe mund të zgjedhet vetëm me dialog, gjë që sipas tij, kishte të drejt.

Kryeministri Kurti tha se Kosova nuk do luftë por është e vëmendshme dhe është rreshtuar me NATO-në.

“Ku është NATO, ku e keni NATO-n, ishin disa prej frazave më të përsëritura nga ushtarët dhe policët serb gjatë dëbimit dhe masakrave hakmarrëse të tyre mbi shqiptarët në Kosovë në pranverën e vitit 1999. NATO është këtu në Kosovë për sigurinë tonë, bashkë me vajzat dhe djemtë e FSK-së, të gatshëm për ta mbrojtur sovranitetin e vendit në çdo rrezik a cenim eventual…Sot bartës të asaj trashëgimie politike vazhdojnë ta udhëheqin Serbinë bashkë me synimet e tyre ndaj Kosovës e me lidhjet e tyre me Rusinë. Në këtë pikë Kosova mbetet e lidhur me fort me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, ndërkohë që ka maksimalizuar përpjekjet për anëtarësim në NATO“, tha ai.

Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kjo ditë na tregon se intervenimi i NATO-s i dha përkrahje luftës së drejt të UÇK-së.

“Dita e sotme na sjellë shumë kujtime dhe na kthen në fokus peshën e ruajtjes së paqes dhe çmimin e lirisë, çmim ky i cili u pagua nga shqiptarët ndër dekada. Kjo ditë e shënon edhe Epopenë e UÇK-së në Gllogjan të Dukagjinit. Kjo ditë gjithashtu na tregon që intervenimi i NATO-s i dha mbështetje luftës së drejt të UÇK-së për liri “, tha ajo.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në këtë seancë, tha se sot kujtojnë sakrificën e popullit tonë dhe ndërhyrjen e NATO-s, që i dha fund gjenocidit serb në Kosovë. Sipas tij, lufta e drejt e UÇK ajo që bëri që aleanca më e fuqishme në botë të vëhet mbi vlerat e civilizimit perëndimor, paqes e demokracisë.

“Nuk mund të kuptohet kjo datë pa UÇK-në, pa udhëheqësit e saj si presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veslein, Jakup Krasniqn e Rexhep Selimin e shumë protagonisët të UÇK-së që trasuan themelin e saj , pra këtë themel dhe vazhdimësinë e rrugës për çlirimin e Kosovës e bën mbi amanetin e qindrave të rënë për liri“, tha ai.

Lumir Abdixhiku në emër të LDK-së, tha se spastrimi etnik i Kosovës, vrasjet e dhunimet nuk mund të merrnin përgjigje tjetër përveç atë të NATO-s.

“Spastrimi etnik i Kosovës, vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve pa dallim. Dhunimet sistematike gjithandej nëpër Kosovë, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë nuk mund të merrnin përgjigje tjetër përveç intervenimit të tillë. Prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin të Kosovës, është rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerizimit“, tha ai.

Gjithashtu, e në emër të deputetëve multietnik foli edhe deputetja Fidan Zhillka./kp