Ndërhyjnë ndërkombëtarët: Merkel dërgon zyrtarët e CDU në përpjekje për të arritur marrëveshjen mes LVV- LDK

Një ekip i dërguar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, i kryesuar nga njëri ndër njerëzit më të afërm të saj në kuadër të Bundestagut , Peter Bauer, do të arrijnë sonte në Kosovë, ku nesër do të zhvillojnë takime të ndara me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Burime të Gazeta Blic, brenda dy partive politike, kanë konfirmuar se ky delegacion është nisur në Kosovë, me urdhër të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe se kjo mund të jetë përpjekja e fundit që gjermanët do e bëjnë për t’u arritur koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së.

Sipas agjendës së këtij ekipi të deleguar nga Merkel, bëhet e qartë, që në takimet e ndara me Kurtin dhe Mustafën, ata do të kërkojnë preraz që të ketë marrëveshje mes këtyre dy partive politike.

Bayer, është një politikan me të kaluar të madhe në shtetin gjerman dhe njihet si njëri ndër personat më të afërm të kancelares Merkel.

“Ata do të vijnë sonte vonë në Kosovë. Nesër do të ketë takime të ndara me kryetarin e VV-së Albin Kurti dhe të LDK-së, Isa Mustafa. Na është bërë e qartë që kjo do të jetë përpjekja e fundit dhe ultimatum i prerë nga zyra e kancelares gjermane, Angela Merkel, që të ndodhë koalicioni mes dy partive.

Ky ekip do të vijë me ultimatum të qartë për të dy liderët që koalicioni LVV-LDK, duhet të ndodhë sa më parë dhe se nuk guxon që të ketë zvarritje të këtij procesi”, ka thënë ky burim.

Në takimin e këtij delegacioni me dy krerët e partive, e ka konfirmuar si nga VV ashtu edhe nga LDK, ani pse asnjë zyrtarë i këtyre partive nuk ka dashur që të flasin publikisht lidhur me këtë çështje.

Në mënyrë anonime ata i kanë thënë Gazetës se tashmë është caktuar takimi i këtij delegacioni me krerët e partive, por nuk kanë dashur që të japin detaje tjera.

Deri më tani kanë ndodhur më shumë se dhjetë takime mes kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Albin Kurti – por që nuk kanë dhënë asnjë rezultat sa i përket arritjes së marrëveshjes. Kjo për shkak që tashmë LDK e ka vënë kusht postin e presidentit, e cila nuk është duke u pranuar nga ana e partisë së Albin Kurtit.

Në mbledhjen e Këshillit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që u mbajtë sot pasditë, të gjithë anëtarët janë shprehur pro koalicionit me Vetëvendosjen, por që sipas të njëjtave burimeve, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, kanë potencuar se nuk dëshirojnë të ketë koalicion, nëse kësaj partie nuk i takon posti i presidentit.

“Të gjithë folësit janë pro koalicionit me Vetëvendosjen, por që kusht e kanë postin e presidentit”, tha ky burim.Pos presidentit, Këshilli i Përgjithshëm, po e kërkon me çdo kusht edhe postin e Ministrit të Punëve të Brendshme, thotë ky burim.

Sipas këtij burimi, kjo pritet të konfirmohet edhe formalisht, por një kërkesë e tillë do të bëhet publike nga drejtuesit e partisë edhe pas përfundimit të mbledhjes.

Ndryshe, këtë kërkesë ndaj Vetëvendosjes e ka parashtruar edhe Kryesia e LDK-së dhe kryetarët e degëve të kësaj partie.Ndërkohë, lideri i VV-së para mbledhjes së Këshillit të LDK-së ka theksuar që shpreson që partia e Isa Mustafës të mos “betonohet” në kërkesat e saja.

“Unë me siguri që kam besuar se duhet të ketë takim këtë javë, por nuk dua të ndërhyj te LDK e cila ka thirrur Këshillin e Përgjithshëm.

Vetëvendosje mbledhjen e këshillit do ta mbaj pasi ta kemi marrëveshjen me LDK-në. Mbetet të shihet se kjo mbledhje a është thirrur për të betonuar marrëveshjen me kërkesat e njohura deri më tani apo për ta zhbllokuar situatën”, është shprehur ndër të tjera Kurti.

Tashmë kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga përfundimi i zgjedhje nacionale.

Në këto zgjedhje të mbajtura më 6 tetor, Lëvizja Vetëvendosje, doli partia e parë, duke u pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, të cilit i takon propozimi për ta formuar qeverinë e ardhshme, vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të ketë koalicion me asnjë parti tjetër, përveç Lidhjes Demokratike. Madje, ai ka kërcënuar se nëse nuk arrijnë të merren vesh me Isa Mustafën, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, LDK, tashmë e ka bërë të qartë se janë të interesuar që të bashkëqeverisin me Vetëvendosjen, por vetëm në mënyrë që atyre tu takojë posti i presidentit – post të cilin tashmë e udhëheq Hashim Thaçi, ku mandati i tij do të skandojë në mars të vitit 2021.