Ndërroi jetë aktorja shqiptare

Është ndarë nga jeta aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare, Valentina Caci.
Lajmin e ka bërë të ditur, aktorja Zamira Kita në një status në Facebook.

“Lamtumire, e mira, e talentuara, e bukura, Valentina Caci! Rolet e shumta te realizuara prej saj, do te ngelen gjithmone ne kujtesen tone, bisedat dhe keshillat e saj, te paharruara! I perjetshem kujtimi!”, shkruan aktorja Zamira Kita.

Valentina Caci lindi në qytetit e Korçës më 2 mars të vitit 1936. Në lëvizjen artistike që shpërtheu që ne muajt e parë të paraçlirimit u aktivizua në grupet teatrale amatore, ku dhe u dallua si aktore amatore me perspektivë për skenën korçare.

Ishin këto të dhëna, për këtë amatore, që ra në sy të Dhimitër Trajçes, që e afroi në grupin e teatrit të ngritur pranë Pallatit të Kulturës së qytetit.

Aty, një vit mbas krijimit të teatrit profesionist, mbështetur në talentin e saj të treguar në grupin amator, Valentina Caci emërohet aktore në trupën teatrit profesionist. Regjisorët i besojnë role të rëndësishëm gjatë gjithë karrierës së saj në skenë.

Ngushëllime ka shprehur edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta.

“Me trishtim mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktores sonë të mirënjohur, “Artistes së Merituar” Valentina Caci.

Me rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, në skenë, dhe veçanërisht në film, Valentina Caci fitoi simpatinë dhe u duartrokit me meritë nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në teatër e kinematografi.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e kësaj artisteje të madhe, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të saj, si edhe të gjithë artdashësve shqiptarë.

E paharruar do të mbetesh e madhja Valentinë!”

Homazhet zhvillohen, ne teatër, neser nga ora 12.00-13.00./Ora News/