Ndërroi jetë nënkryetari i Komunës së Drenasit

Në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë veprimtari, atdhetari, bashkëluftëtari dhe një nga ideologët e çështjes kombëtare, Gani Sylaj, njëherit nënkryetar i Komunës së Drenasit.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ky i fundit ka thënë se me humbjen e Sylajt Drenasi dhe kombi ynë ka një atdhetar më pak, i cili me devotshmërinë e tij të pashoqe, nga vitet 70, të shekullit të kaluar, me veprimtarinë ilegale atdhetare, filloi rrugëtimin për liri dhe çlirim.

“Nga sot, radhët e armatës së shtetndërtuesve, i mungon një nga emrat më të shkëlqyer, i cili me urtësi, vizion dhe mirësi, fuqishëm i kontribuoi ndërtimit të vendit, debatit demokratik në komunën tonë dhe përhapjen e kulturës demokratike, për debat, për avancim të kulturës tonë politike.

Shpreh ngushëllimet më të thella për familjen Syla, bashkëveprimtarëve të tij, bashkëluftëtarët dhe bashkëmendimtarëve anë e kënd atdheut tone”, shkruan Lladrovci.