Ndërron jetë tek Infektivi pacientja nga Shkodra, ministria e Shëndetit: Nuk vdiq nga Covid-19

Gjatë ditës së sotme ka ndërruar jetë një 62 vjeçare në spitalin Infektiv. Ajo u transferua ditën e djeshme nga spitali i Shkodrës për tek Infektivi pasi rezultoi e infektuar me koronavirus.

Shkaku i vdekjes sipas ministrisë së Shëndetit nuk është Covid-19, por sëmundja e rëndë e pankreasit. Pacientja vuante edhe nga nga kanceri dhe astma bronkiale.

Njoftimi i plotë nga ministria e Shëndetit:

Lidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një paciente me COVID19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se:

Gjatë ditës së ndërruar jetë në spitalin infektiv një 62-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë kronike të pankreasit, me vdekshmëri shumë të lartë: pankreatiti nekrotizant. 62-vjeçarja që vuante edhe nga kanceri dhe astma bronkiale, është sjellë ditën e djeshme në gjendje të rëndë nga spitali i Shkodrës, ku rezultoi bartëse e COVID19, por pa shenja klinike të sëmundjes. Referuar shërbimit infektiv, 62-vjeçarja nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID19, pasi ishte asimptomatike për këtë sëmundje, por si pasojë e sëmundjes së rëndë të pankreasit.

Ministria e Shëndetësisë informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’I referoheni njoftimeve zyrtare.