Ndihma e jashtëligjshme shtetërore

Janë bërë një vit e nëntë muaj qëkur paratë e ndara nga shteti, si grante apo subvencione, nuk i nënshtrohen kontrollit të Komisionit për Ndihmë Shtetërore, e që është në kundërshtim me ligjin.

Që prej marsit të vitit 2022, pesë anëtarëve të Komisionit u skadoi mandati e të rinjtë ende nuk janë zgjedhur.

Përgjegjësia për funksionalizimin e Komisionit bie mbi Komisionin përzgjedhës të Kuvendit, të përbërë nga Armend Muja, Hykmete Bajrami e Ferat Shala.

Deputetët Bajrami dhe Shala e akuzuan kryesuesin Armend Muja se po e zvarrit qëllimshëm funksionalizimin e Komisionit, me synimin që, siç thanë, të mos dihet se ku shkojnë paratë e shtetit.

“Armend Muja në këtë rast refuzon ta ftojë Komisionin. Refuzon t’i ftojë njerëzit në intervista. Zoti Armend Muja nuk do të mund ta bënte këtë pa qenë në sinkron të plotë me kryeministrin dhe ministrinë e financave. Thjesht këta nuk duan të kenë një filtër tjetër për kalim”, ka thënë deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

E sipas PDK-së, e njëjta logjikë e ndarjes së mjeteve do të shkojë edhe vitin që vjen.

“54 milionë euro janë ndarë duke shkelur Ligjin për Ndihmë Shtetëror, pa kaluar në asnjë filtër të institucioneve ligjore vendore. E njëjta logjikë do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, sepse kemi rreth 32 për qind të buxhetit që shkon në kategori të subvencioneve”, ka thënë Ferat Shala, deputetet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Muja nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me mosfunksionalizimin e Komisionit, që është përcaktuar me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe që për kompetencë ka autorizimin e skemave të ndihmës shtetërore.

Për zvarritjen e procesit, shqetësim kanë shprehur edhe nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Ne i kemi inkurajuar autoritetet që të kenë prioritet krijimin e një Komisioni funksional të Ndihmës Shtetërore, në mënyrë që ata të mund të trajtojnë çështjet e grumbulluara dhe të rivendosin sistemin rregullator të ndihmës shtetërore. Komisioni i Ndihmës Shtetërore është një organ vendimtar në ekonomitë e tregut, roli i të cilit është të sigurojë që çdo ndihmë ose ndërmarrje nga shteti të bëhet në përputhje me rregullat e tregut, duke parandaluar kështu rastet kur një biznesi ose një subjekti i jepet përparësi ndaj konkurrentëve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë, shkruan Koha.

Vërejtje kjo zyrë i pati adresuar Kuvendit edhe më herët nëpërmjet një letre.

E për ndihmat e ndara pa një kontroll dhe për përgjegjësitë mbi funksionalizimin e Komisionit nuk janë përgjigjur nga Ministria e Financave dhe as nga Zyra e kryeministrit.

Bazuar në Ligjin për Ndihmë Shtetërore, çdo ndihmë e ndarë pa aprovimin e Komisionit përgjegjës konsiderohet e kundërligjshme dhe mund të ndodhë edhe revokimi i saj.