Në Australi shënohet temperatura më e lartë në histori

Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja e Meteorologjisë, Australia të martën e ka përjetuar temperaturën më të lartë që është regjistruar ndonjëherë në këtë vend dhe pranverën më të rrezikshme sa i përket zjarreve në natyrë.

Bazuar në analizën preliminare të motit, dita e djeshme ishte më e nxehta që është regjistruar ndonjëherë, me temperaturë mesatare prej 40.9 gradë në mbarë vendin. Kjo temperaturë e rrëzoi rekordin e mëparshëm të janarit të vitit 2013, kur temperatura mesatare ishte 40.3 gradë.

Duke e konfirmuar gjendjen e pashembullt të sezonit të tanishëm të zjarreve, Byroja e Meteorologjisë gjithashtu tha se 95 për qind e territorit të Australisë ka qenë nën rrezikun e motit që shkakton zjarre. Kjo shifër është dukshëm më e lartë se përqindja e zakonshme gjatë viteve të kaluara.

Në analizën e këtij institucioni thuhet se secili rajon australian ka qenë i rrezikuar nga zjarret në natyrë gjatë muajve tetor dhe nëntor.

Disa persona kanë vdekur dhe qindra shtëpi janë shkatërruar nga zjarret që janë përhapur kryesisht në rajonet lindore dhe juglindore, Queensland dhe New South Wales.

Ndryshe, kryeministri i Australisë, Scott Morrison, është kritikuar për vendimin e tij që të shkojë në pushime në Hawaii në kohën kur vendi i tij po përballet me njërën prej krizave më të rënda mjedisore në histori, shkruan “The Guardian”