Në gjykimin ndaj Mustafës, dëshmitari tregon rastin kur serbët rrahën gruan dhe djalin e tij

Ahmet Ademi, dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka rrëfyer për jetën e tij gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Ai i ka treguar trupit gjykues për dhunën dhe maltretimet e tjera që forcat policore serbe kishin kryer mbi të dhe familjen e tij.

Ademi ka thënë se ka punuar në Kryqin e Kuq deri në vitin 1997, ku pastaj është larguar nga serbët dhe ka shërbyer pastaj në mënyrë ilegale për të ndihmuar familjet shqiptare gjatë luftës.

Para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ademi ka thënë se në vitin 1997, serbët e kishin larguar nga punë atë dhe disa kolegë të tjerë, për faktin se ishin shqiptarë.

“Gjatë luftës kam punuar në Kryqin e Kuq të Kosovës, prej moshës 28 vjeçare, deri në vitin 1997, kam punuar në Kryqin e Kuq, në vitin 19997 na kanë larguar prej punës dhe tani kemi vepruar ilegalisht, kemi hapur një zyre të Kryqit të Kuq të Kosovës për popullatën tonë, atë e kemi bërë. Kryq i Kuq i Serbisë na dëboi nga puna në 97, në vitin 1997 me profesorin Isuf Dedushaj dhe anëtarë të tjerë kemi hapur një zyre të Kryqit të Kuq ilegalisht i cili ka vepruar në Prishtinë dhe mbarë Kosovën”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kryqi i Kuq i Serbisë nuk donte që punëtorët shqiptarë të kuptonin veprimet e tyre dhe as të ndihmonin popullin shqiptar.

Andaj sipas tij kishte lindur nevoja që të hapej një tjetër zyre e Kryqit të Kuq në mënyrë që populli shqiptar të mund të furnizohej me ushqim dhe gjëra të tjera elementare.

“Pajisjet mjekësore i merrnim përmes donacioneve, ka pasur një fond ‘vendlindja thërret’, kemi pasur një barnatore aty afër dhe i merrnim barnat, dhe prej donatorëve të tjerë”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se ndihmat i shpërndanin në zona të ndryshme si në Drenicë, Llap, Gollak e Gjilan.

Dëshmitari i mbrojtjes ka thënë se kur kanë filluar bombardimet e NATO-s, në mars të vitit 1999, njerëzit më nuk kanë mundur të shkonin në zyret e Kryqit të Kuq për të marrë gjërat që u nevojiteshin, sepse rrezikoheshin nga forcat serbe.

Sipas tij, ndihmat janë shpërndarë përmes vullnetarëve.

“Po janë kontrolluar, popullata është kontrolluar (nga serbët) nëpër rrugë, më kanë kontrolluar, më kanë ndalë, më kanë pyetur, më kanë rrahur në mes të rrugës… Ka pas një rast kur më kanë zënë mu më kanë rrahur dhe si duket 50 marka mi kanë marrë në atë kohë, edhe më rrahën edhe i morën dhe më thonin pse po mban ti marka kur këtu je në Serbi, nuk janë këto nuk janë valuta tona, paraja jonë është e Serbisë, kështu që unë kam hangër edhe rreh edhe m’i kanë marrë 50 marka”, ka thënë ai.

Ndërsa pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, ai ka thënë se në shtëpinë e tij kishin shkuar forcat serbe ku i kishin rrahur e maltretuar gruan dhe djalin.

“Kam banuar por me vështirësi. Në një moment kanë ardhur forcat policore dhe ma kanë maltretuar gruan dhe djalin 4 vjeç që e kam pasur. Unë prej frikës kam hip në çati dhe prej çatisë i shikoja duke ma maltretuar gruan, familjen dhe prej asaj kohe djalin e kam jo mirë me shëndet mendor, prej traumave”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se kjo ka ndodhur nga mesi apo fundi i muajit mars 1999 por ka shtuar se nuk i kujton mirë datat.

“Gjatë bombardimeve ka ndodhur kur kanë ardhur policia dhe ma kanë rrahur gruan dhe fëmijën, me sopatë të vogël”, ka thënë ai.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të dytë të mbrojtjes në gjykimin ndaj Salih Mustafës.

Ai është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Salih Mustafa po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm./KP