Nëntë anëtarë të një familje në Vushtrri infektohen me koronavirus

15 raste të reja me Covid-19 janë shënuar ditën e sotme në Vushtrri. Prej tyre, 9 janë anëtarë të një familje.

Shtimi i numrit të madh të qytetarëve të infektuar ka nxitur reagimin e kryetarit të komunës, Xhafer Tahiri.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Tahiri u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes.

“Është tepër vështirë me luftu me një virus të padukshëm, kur brenda familjes s’ka kujdes dhe nga 1 i infektuar bëhen 9, 20 e 30 raste”, shkruan Tahiri në Facebook.

Shkrimi i plotë i Tahirit në Facebook:

Ju lutemi, KUJDES!

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, sonte i kemi 15 raste të reja. Prej tyre, 9 anëtarë të njëjtës familje, 1 qytetar i infektuar në Prishtinë dhe të tjerat janë raste kontakti.

Është tepër vështirë me luftu me një virus të padukshëm, kur brenda familjes s’ka kujdes dhe nga 1 i infektuar bëhen 9, 20 e 30 raste.

Çdo masë e kemi marrë e do ta marrim për të mbrojtur shëndetin, por nëse nuk na ndihmoni e nuk ruhemi secili, kjo është e pamundur.