Nesër mbahet konferenca përgatitore për gjykimin në çështjen Thaçi dhe të tjerët

Dhomat e Specializuara të Hagës bëjnë të ditur se nesër do të mbahet konferenca përgatitore për gjykimin në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

“Siç ishte paralajmëruar gjatë konferencës së fundit për ecurinë e çështjes, Trupi Gjykues II ka caktuar konferencën përgatitore për gjykimin në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit më 18 janar në ora 09:30”, thuhet në njoftimin e Speciales,

Në konferencën përgatitore do të diskutohet lidhur me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars 2023 dhe kohëzgjatjen e fjalës hyrëse të tyre dhe çështje të tjera procedurale dhe substanciale.

Ndër të tjera, paneli do të kërkojë sqarime nga palët lidhur me procedurën nëse ZPS ka përfunduar me nxjerrjen e provave dhe listën e dëshmitarëve të cilët do t’i paraqesë në gjyq.

Sa i përket pjesës substanciale, do të diskutohet për pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar, natyrën dhe kohëzgjatjen e një konflikti të armatosur dhe pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar të një sulmi të përhapur ose sistematik në dritën e gjetjeve në rastet e TPNJ-së Limaj dhe Haradinaj.

Në njoftim e DhSK-së thuhet se do të diskutohet edhe për pretendimin e përgjegjësisë komanduese, pastaj për domosdoshmërinë e provave për pretendimet lidhur me krimet serbe të kryera gjatë asaj kohe, pikëpamjet e palëve nëse të burgosurit e asaj kohe që ishin anëtarë të forcave të armatosura bien në kategorinë e përshkruar nga ZPS si “popullsia civile e kundërshtarëve” dhe faktorët që paneli duhet të marr parasysh në vlerësimin nëse kjo e fundit ishte me natyrë kryesisht civile.

Gjithashtu, paneli do të kërkojë sqarime nga avokati i Veselit lidhur me komentet e bëra gjatë Konferencës së Statusit më 8 shtator 2022 në lidhje me kohën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të Rregullës 153 dhe Rregullës 154 të SPO-së dhe sqarime nga avokati i Thaçit lidhur me ekzistencën e pretenduar të “Operacioni Patkoi”.