“New York Times”: Pushteti i Edi Ramës është i pacenuar, përkrahet nga SHBA, BE

Pranvera arabe gati tetë vite më parë ka pak gjasa të përsëritet edhe në rajonin e Ballkanit pavarësisht protestave të përsëritura dhe kryengritjeve të mundshme që mund të organizohen në rajon. Sipas gazetës amerikane, Nju-Jork-Tajms, liderët autoritarë të Ballkanit kanë mbështetjen e Perëndimit, të cilët janë gati të pranojnë cenimin e demokracisë, por jo stabilitetin afatgjatë të rajonit.

Epidemia e protestave që prej muajsh ka pushtuar Shqipërinë dhe disa vende të rajonit ka pak shpresa që të prodhojë një revolucion ballkanik teksa muajt kalojnë dhe afron sezoni turistik.

Këtë temë trajtoi në fundjavë gazeta prestigjoze amerikane, Nju-Jork Tajms, duke analizuar rebelimin e qytetarëve në Tiranë, por edhe në Mal të Zi, Serbi apo Bosnje-Hercegovinë.

Duke u ndalur te rasti i Shqipërisë, gazetari Mark Santora, kujton tubimet disamujore dhe episodet që kanë si objektiv largimin e kreut të ekzekutivit shqiptar, Edi Rama.

“Në Shqipëri protestuesit mblidhen prej muajsh, madje kanë tentuar të hyjnë edhe në parlament duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017. Megjithatë, pushteti i Z. Rama, që përkrahet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, duket se do të mbetet i pacenuar.”

Me gjithë valën e protestave në vendet e rajonit, artikulli thekson se shqetësimi më i ngutshëm për ekzekutivin europian mbetet trajtimi i kërcënimeve nga përbrenda vendeve anëtare, siç janë rritja e ideologjive nacionaliste dhe atyre ekstreme.

Ndërsa për Ballkanin, përfaqësuesit e Brukselit mendojnë se interesi parësor është stabiliteti politik, edhe nëse kjo nënkupton institucione më të dobëta demokratike.

Sipas Nju-Jork Tajms, këto qëndrime të europianëve me kalimin e javëve kanë ulur entuziazmin e qytetarëve për një rrëzim të mundshëm të liderëve të akuzuar si despotë të Ballkanit, mes tyre kryeministri i Shqipërisë, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, homologu i tij malazez Milo Gjukanoviç, apo boshnjaku i republikës serbe, Milorad Dodik.

/Ora News.tv/