“Nga një veturë në tjetrën” – Policia jep detaje për gjuajtjen me armë tek Rruga “B” në Prishtinë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për gjuajtjen me armë zjarri që ka ndodhur sonte tek Rruga “B” në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për lajmi.net se rasti është raportuar rreth orës 21:00, shkruan lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se nga dyshimet e para, flitet për të shtëna nga një veturë në tjetrën.

Fatmirësisht, siç ka bërë të ditur Borovci, nuk ka pasur të lënduar.

“Rreth  orës 21:00 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën “B” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin. Informatat e para flasin për  dyshimet se persona të dyshuar nga një veturë kanë shtënë në drejtim të një veture tjetër dhe me shpejtësi janë larguar nga vendi i ngjarjes. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur persona te lënduar. Aktualisht po vijon puna policore për identifikimin e të dyshuarve si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre”, ka thënë Borovci.