Nga peshkatarë në piratë, si u bënë somalezët tmerri i anijeve tregtare (video)

Tre dekadat e fundit, peshkatarët e armatosur somalezë janë shndërruar në rrezikun numër 1 për anijet që qarkullojnë në ujërat e Oqeanit Indian.

Vetëm në vitin 2008, piratët modernë kapën më shumë se 40 anije të mëdha në Gjirin e Adenit.

Kanë kompleksin e Robin Hudit

Shumë piratë somalezë, e shohin veten si njerëz të mirë.

Dhe në një moment, ishin vërtet të tillë. Kur u rrëzua qeveria në Mogadishu në vitin 1991, vendet fqinje përfituan nga kaosi dhe nisën të peshkonin ilegalisht në ujërat somaleze. Piratët e parë, ishin thjesht peshkatarë të zemëruar, që hipnin me forcë në bordin e anijeve të huaja dhe kërkonin një lloj “pagese”.

Por meqë peshkimi i paligjshëm vazhdonte, piratët e parë u bënë bashkë, dhe e quanin veten “roje bregdetare”. Ndërkohë, nuk ishin të vetmit. Të tjerët plaçkitnin anijet e OKB-së, që transportonin ushqime për kampet e refugjatëve në Somali. Më vonë pirateria u përhap tej brigjeve të Somalisë, duke u zhvilluar në një ndërmarrje miliarda dollarëshe.

Sot, piratët i thonë hapur motivet e tyre. Në fund të vitit 2008, kur një bandë piratësh kapi një anije ukrainase të mbushur me armë, kërkoi 25 milionë dollarë për lirimin e saj. Sipas disa vlerësimeve, vetëm në atë vit piratët somalezë përfituan mbi 150 milionë dollarë, duke e bërë piraterinë industrinë me fitimprurëse në vend.

Bosët e këtyre grupimeve mund të fitojnë mbi 2 milionë dollarë në vit, një shumë tepër e madhe në një vend ku darka për një person kushton vetëm 1 dollarë. Shumica e tyre i investojnë fitimet në Kenian fqinje në pallate dhe rezidenca banimi.

Është e lehtë të jesh pirat

Në pamje të parë, pirateria e sotme, duket shumë e lehtë. Mjafton të kesh një armë, një palë shkallë alumini për tu ngjitur tek anijet e shënjestruara, dhe një motobarkë. Pastaj duhet të presësh kalimin e anijeve tregtare. Për më tepër, nuk duhet të shqetësoheni shumë për kundër-reagimin e tyre.

Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, anijet civile nuk lejohen të mbajnë armë. “Pasi piratët hipin në bordin e anijes, ata bëhen zotër të saj”- thotë Martin Murphy, ekspert i piraterisë me Qendrën Korbet për Studimin e Politikave Detare. Sipas tij mbrojtja më e mirë kundër piraterisë është udhëtimi me shpejtësi. Por për shkak se shumica e anijeve tregtare, nuk janë projektuar për të ecur shumë shpejt, piratët nuk e kanë shumë të vështirë t’i kapin ato.

Piratët më të sofistikuar, përdorin armë automatike dhe sisteme GPS, por shumë të tjerë kanë mbetur ende tek metodat më tradicionale. Pasi hipin në një anije, gjithçka që duhej të bëjnë është të vjedhin, të marrin pengje dhe të kërkojnë shpërblim. Një anije tregtare, paguan zakonisht rreth 1 milion dollarë gjobë.

Nuk preken nga ligji

Të gjithë e dinë se pirateria është diçka e gabuar. Por a është e paligjshme? E vërteta është se në vendet ku operojnë piratët, aktiviteti i tyre është i paligjshëm. Por në territorin e Somalisë, nuk ka një qeveri funksionale që ta zbatojë këtë ligj. Në këto kushte, bota është e detyruar të improvizojë.

Në nëntorin e vitit 2008, Britania e Madhe, nënshkroi një marrëveshje për të gjykuar në Kenia piratët e kapur nga marina mbretërore. Vendet e tjera po ndjekin të njëjtin shembull. Por Kenia, pavarësisht se ka demokracinë më të fuqishme në Afrikën Lindore, nuk duket se zotëron një sistem gjyqësor efektiv. Zgjidhja afatgjatë mbi këtë dukuri, është një qeveri e qëndrueshme somaleze, që të ketë një gjyqësor funksional. Por kjo kërkon arritjen e paqes mes klaneve ndërluftuese në vend.

Vrasin rrallë njerëz

Pavarësisht agresivitetit të tyre, numri i viktimave është i ulët. Në një rast,ktapiteni i një anijeje vdiq nga shkaqe natyrore, teksa po mbahej peng, dhe në një rast disa milicë u vranë gjatë përpjekjes për të liruar të burgosurit. Por këto janë përjashtime. Në përgjithësi, piratët preferojnë t’i trajtojnë mirë pengjet e tyre, pasi vetëm kështu mund të fitojnë qindra mijëra dollarë në formën e shpërblimit.

Në shumë raste marinarët rezistojnë

Marinarët e dinë mirë se çfarë i pret kur hyjnë në ujërat e Afrikës Lindore. Dhe për shkak se ekuipazhet e tyre nuk mund të mbajnë armë, kanë gjetur mënyra të tjera për të luftuar piratët.

Në një rast një anije tregtare kineze, përdori taktikat e huazuara nga rrethimi mesjetar i kështjellave.

Kur piratët u ngjitën në anijen “Zhenhua 4”, ekuipazhi u ngjit në pikën më të lartë të kuvertës. Nga aty marinarët kinezë filluan të hedhin poshtë koktejë molotov, të bëra me shishet e birrës të mbushura me benzinë. Vetëm pasi hodhën mbi 400 molotovë, piratët u tërhoqën.

Piratët shënjestrojnë kryesisht anijet e mëdha

Duke pasur anije më të shpejta, armë më të mira, dhe informacione më të sakta për ”prenë” nga spiunët e tyre, piratët ndjekin dhe kapin kryesisht anijet e mëdha tregtare, super-çisternat dhe madje edhe linjave e trageteve të mëdha me turistë. Askush nuk është i sigurtë.

Ata sulmojnë zakonisht në grupe prej rreth 10 vetash, dhe kapin anije me 20 ose më shumë pasagjerë. Situata bëhet më delikate me kroçerat turistike, që kanë në bord deri në 2.000 njerëz. Piratët nuk kanë mundësi që të menaxhojnë situatën, e cila mund të dalë shpejt jashtë kontrollit. Në raste të tilla, edhe reagimi i autoriteteve ndërkombëtare është i ashpër. Piratët qëllohen menjëherë sapo diktohen, duke u fundosur bashkë me motobarkat e tyre.