Ngritet aktakuzë ndaj kosovares që planifikonte t’i bashkohej ISIS-it

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës, kundër të pandehurës me inicialet S.SH., për shkak se dyshohet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 i KPRK-së.

Sipas njoftimit nga Prokuroria Speciale, thuhet se e pandehura S.SH., me paramendim, me dashje dhe duke bërë përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”, ka udhëtuar së bashku me bashkëshortin e saj, shtetas turk, nga Gjermania për në Turqi dhe më pastaj, përmes lidhjeve të caktuara, ka depërtuar në Siri, ku është angazhuar përmes ndihmës logjistike në organizatën terroriste “ISIS”.

“Me këto veprime, e pandehura S.SH. ka kryer veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’ nga neni 143, paragrafi 2 i KPRK-së”, thuhet tutje.