Ngritet kallëzim penal ndaj Agim Bahtirit

IndeksOnline mëson nga burimet brenda Prokurorisë së Mitrovicës se sot është ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirit.

Bahtiri sot është intervistuar nga Policia e Kosovës për shkak të dyshimit për nxitje të përçarjes dhe mos durimit.

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka filluar hetimet ndaj A.B., pasi që dyshohet se i njëjti në një lidhje të drejtpërdrejtë në njërin nga televizionet kosovare ka deklaruar se “Presidenti t`i shpallë zgjedhjet, ndryshe mund të ketë vëllavrasje“, me çfarë dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Kryetari i Mitrovicës, gjatë ditës së sotme ka kërkuar falje nëse dikush e ka kuptuar deklarimin e tij si thirrje vëllavrasje.

“ Sot, unë vetëm kam shprehur brengën dhe mendimin se humbësit e zgjedhjeve të 6 tetorit me veprimet e tyre po duan që vendin ta drejtojnë në revoltë, për të cilën të gjithë ne jemi kundër. Nëse dikush e ka kuptuar deklarimin tim si thirrje për vëllavrasje, unë i kërkoj falje “, thuhet në reagim.