Nisma e AKR arrijnë marrëveshje edhe me një tjetër parti

Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë arritur sot marrëveshje për koalicion me Partinë e Drejtësisë.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, në një intervistë për Televizionin Publik .

“Unë besoj që nuk do të ketë koalicione me partitë e mëdha. Ne sonte kemi bërë një koalicion me Partinë e Drejtësisë. Një parti që gjithmonë ka qenë aty – pa marrë parasysh se ka pasur largime”, ka thënë Pacolli në emisionin Debat të RTK-së.

AKr dhe Nisma arritën një marrëveshje për koalicion javën e shkuar. Kandidat për kryeministër i këtij koalicioni është Fatmir Limaj.

Kjo është komunikata zyrtare e Partisë së Drejtësisë:

Komunikatë për media

Pas bisedimeve gjithëpërfshirëse me presidentin e AKR-së z. Behgjet Pacolli dhe në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm politik shumë vjeçar të Partisë së Drejtësisë me Aleancën Kosova e Re, sonte u arrit marrëveshja për koalicion parazgjedhor ndërmjet PD dhe AKR që në radhë të parë është në funksion të pasurimit të ofertës politike për qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Ky koalicion parazgjedhor do të fuqizojë në mënyrë përmbajtjesore koalicionin tani më të arritur ndërmjet subjekteve politike AKR dhe NISMA dhe do të paraqet alternativë të besueshme dhe vizionare për qytetarët e Republikës së Kosovës në periudhën tejet të ndjeshme për të ardhmen e vendit.

Partia e Drejtësisë fton gjithë elektoratin e saj që të mbështet ketë koalicion parazgjedhor në funksion të promovimit dhe institucionalizimit të vlerave të dëshmuara të traditës sonë kombëtare dhe qytetare euroatlantike në politikat e qeverise se re të vendit.