Nisma e mbush me bashkëpartiakë ministrinë “e vet”, Jakup Krasniqi e punëson edhe djalin e vëllaut

Ministria që krijon politikat e punës dhe të mirëqenies sociale në Kosovë, po mbushet me staf të anëtareve të partisë nga vjen ministri Skënder Reçica.

Një nga një po punësohen anëtarët e partisë Nisma Socialdemokrate që udhëhiqet nga Famir Limaj. Ata po i rehatojnë me nga një vend të punës në institucionet qeveritare që ata i udhëheqin në koalicion me Qeverinë Haradinaj.

Punësimet e fundit kanë ndodhur në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me konkurs mbi shërbimin civil, shkruan lajmi.net.

Fatmir Halili, është punësuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si zyrtar i lartë për Koordinim të Politikave në Divizionin për Koordinim të Politikave DIEKP.

Halili është kryetar i degës së Nismës në Dragash, njëherësh ka qenë edhe kandidatë për kryetar të Komunës nga radhët e kësaj partie në zgjedhjet e fundit lokale.

Ministria nuk i ka publikuar rezultatin e kandidatëve të tjerë, apo sa pjesëmarrës kanë qenë, pos që ka publikuar pikët e Halilit, për të cilat ka shkruar se ka arritur gjithsejtë 368.75 pikë.

Para një muaji, lajmi.net ka raportuar edhe për dy punësime tjera partiake në këtë ministri. Leutrim Zabelaj, i cili është sekretar i degës së Nisma-së në Fushë Kosovë, është përzgjedhur si më i miri në konkursin “Zyrtar i Lartë Ligjor” në MMPS.

Edhe bashkëpartiaku i tij në Fushë Kosovë, që është nënkryetar i degës së Nisma-së në këtë komunë, Naim Bogujevci është përzgjedhur si më i miri në konkursin për “Zyrtar për Pensione”.

Ai ka qenë edhe prijës i listës për asamblistë në Fushë Kosovë në zgjedhjet e vitit 2017. Zabelaj është përzgjedhur më 24 prill (dje), kurse Bogujevci dy ditë me herët se ai. Të dy janë përzgjedhur si drejtues të Nisma-së në Fushë Kosovë në të njëjtën ditë.

Para pak muajve në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila udhëhiqet nga ministri i Nismës Socialdemokrate, Skënder Reçica, në Departamentin e Zyrës së Auditorit të Brendshëm është punësuar, bashkëshortja e Shpëtim Telakut, shofer personal i Fatmir Limajt.

Po ashtu edhe vëllai i Jakup Krasniqit ka punësuar djalin në këtë ministri.

Ndërkohë, janë bërë dhjetëra punësime familjare e partiake të njerëzve të Nisma-së në dikasteret tjera qeveritare ku udhëheqë kjo parti.