Një ditë para fillimit të Asamblesë, Serbia zotohet se do ta pengojë sërish anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Autoritetet serbe vazhdojnë edhe më tutje me fushatën e tyre të egër kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Zëvendëskryeministri një herësh edhe ministër i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, mbrëmë ka mbërritur në Kili, ku edhe do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it.

Me të mbërritur në Kili, Stefanoviq i cili është edhe kryesues i delegacionit serb, është zotuar se do të bëj çdo gjë që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, transmeton lajmi.net.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në llogarinë Twitter, Stefanoviq ka shkruar se, Serbia do të luftojë deri në momentin e fundit për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

“Po fillon faza e fundit e luftës tonë! Do të japim gjithçka nga vetja që Kosova të mos realizojë synimet e saj. Do të luftojmë deri në sekondën e fundit të votimit”, ka shkruar Stefanoviq.

Sipas medieve serbe, delegacioni i Serbisë sot do të fillojë aktivitete diplomatike intensive në Santiago për të mos lejuar as këtë vit anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Duhet theksuar se kohë më parë ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, pati deklaruar se në rast se Kosova arrin të anëtarësohet në Interpol, ai do të jap dorëheqje nga posti që ai e ushtron në qeverinë e Aleksandar Vuçiqit.

Ndryshe Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it do të zhvillohet nga 15-18 tetor dhe do të mbahet në Kili.