Lëvizja Vetëvendosje do të mblidhet sot, merr vesh Gazeta Express.
Sipas burimeve të Expressit, në këtë takim do të jenë deputetët e grupit parlamentar të këtij subjekti politik.
Në media është diskutuar se kjo javë mund të jetë përfundimtare për krijimin e institucioneve të reja.
Në të njëjtën javë është bërë e ditur se mund të thirret seanca për të votuar edhe Vjosa Osmanin për presidente.
Kjo çështje do të diskutohet edhe në takimin e sotëm. Gjithashtu, do të diskutohet edhe për komisionet parlamentare.
Një takim i tillë vjen pas vendimit të Lidhjes Demokratike që Osmanin ta përkrahin për presidente të vendit.