Një dromcë rrëfimi për një dëshmor

Shkruan Raif Qela

Një dromcë rrëfimi për dëshmorin Arsim Zogiani, njërin nga të vrarët në masakrën e burgut të Dubravës

Në përvjetorin e 20-të të masakrës së Dubravës, një status-përkujtim në Facebook i znj. Mirvete Uka, motrës së dëshmorit Arsim Zogiani, më shtyu t’i them një copëz të asaj historie trishtuese…

Jam takuar dhe jam njoftuar me dëshmorin Arsim Zogiani në pavijonin B, në atë pavijon ku na kishin transferuar (rikthyer) nga burgjet serbe edhe një pjesë e të burgosurve politikë prej viteve të ’80-ta: Ukshin Hotin, Avni Klinakun, Bajrush Xhemailin, Nait Hasanin, Hajredin Hysenin etj.

Kemi qëndruar shpesh me Arsimin në banjon e burgut, aty ku e shfrytëzonim rastin të takoheshim me të burgosur nga dhoma të tjera. Aty Arsimi na ka pas treguar edhe për çfarë vepre e kishin burgosur. Gjatë atyre tri javëve të qëndrimit së bashku, jemi shoqëruar me të bukur shumë.

Pas sulmit të trupave serbe mbi të burgosurit më 22 maj, menjëherë pas plagosjes së tij jam takuar me të në ndërtesën e Shtëpisë së Shëndetit, ku u strehuam përkohësisht nga të shtënat që vinin pothuajse prej të gjitha anëve… . Kemi qëndruar dhe kemi biseduar bashkë me të së paku 10 minuta.

Ia kam parë plagët…Nuk kemi pasur as fasho, as jod, as kurrfarë barnash… (Dhe ka pasur shumë pak veta që kanë ditur të lidhin plagë…). Ia kam vendosur një kanotiere të bardhë te plaga në shpatull, por plagët në kokë kanë qenë më të rënda, megjithëse për ato nuk ankohej (thoshte se nuk ndiente dhimbje në kokë…).

Nuk e di se a i është lidhur më vonë plaga (e shkapërderdhur) në kokë, pasi në atë ndërtesë u gjendën disa shishe jodi e ca çarçafë të rinj…

Kur jam ndarë prej tij ka qenë akoma shumë i fortë. Fizikisht dhe shpirtërisht. Qëndronte në këmbë dhe nuk ankohej.

Pas nja dy apo tri orësh dëgjova se kishte vdekur.

Arsimi ishte njëri nga njëqind e njëzet të burgosurit duarlidhur, të rënë nga dora e pushtuesve serbë në një masakër të vetme.

Aty ra edhe shoku ynë i ilegales, Naim Zahiti dhe nja dhjetë veta me të cilët jam njohur me vite.

Ditë përkujtimi të rënda për familjarët e të rënëve…

Ditë përkujtimi të rënda edhe për ne që ishim pranë tyre në çastet kur ata kaluan në përjetësi…

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Arsimin!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë të burgosurit e rënë në burgun e Dubravës!