E sotmja dhe e ardhmja e institucioneve tona!

268

Shkruan: Burim Gjaka

Dilema se kush duhet të udhëheq në institucione të ndryshme, qoftë të nivelit lokal apo qëndror, është shumë e madhe. Theksi i këtij shkrimi qëndron mbi pozitat që zgjedhen me emërim, jo mbi ato që përzgjedhen nga vota e qytetarëve, pra në këtë shkrim bëhet fjalë për ministritë, agjencionet e ndryshme, komisionet e ndryshme, drejtorië komunale etj. Kjo dilemë zakonisht shfaqet para zgjedhjeve kur qytetarët ballafaqohen me premtime megalomane, e që natyrisht për t’u realizuar ato premtime apo projekte, duhen njerëz të dijshëm që kanë kompetencë, ekspertizë dhe guxim për t’i realizuar. Të ndodhur në një situatë të tillë, qytetarët mashtrohen dhe votojnë duke menduar se do të bëhet mrekullia, qoftë në komunë apo shtet. Dilema se kush duhet të udhëheq rritet edhe më shumë pas zgjedhjeve kur fliten e përfliten lloj-lloj emrash për emërime në ozita të ndryshme dhe fare në fund emërohen të tjerët dhe që shumicën e rasteve qytetarët ndahen të pakënaqur me ato emërime.

Liderët politikë dhe institucionalë fillimisht i arsyetojnë aq mirë emërimet e tyre, duke u thirrur në gjithpërfshirje, kuotë gjinore, dakordim me partnerët politikë dhe jopolitikë, por asnjëherë nuk ja shtrojnë vetes një pyetje, që është shumë e rëndësishme dhe madje determinuese për qeverisjen e tyre të ardhshme. E pyetja do të duhej të ishte kjo: a mund të implementohen ato premtime/projkete që u janë dhënë qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore, me ata njerëz të cilët veçse kanë në plan t`i emërojnë. Anashkalohet në të shumtën e rasteve profesionalizmi dhe ekspertiza e njerëzve duke emëruar shpeshë edhe njerëz laik për fushat që emërohen, pastaj edhe produktiviteti i tyre është minimal. Shumë rrallë ndodhë që një institucion të ketë sukses kur drejtohet nga njerëz joprofesional.

Këto emërime zakonisht ( nuk vlenë për të gjithë), bëhen duke pasur për bazë ndegjueshmërinë dhe nevojat personale e klanore. Pra ( jo gjithmonë) në pozita drejtuese emërohen njerëz të ndëgjueshëm të cilët nuk janë vetvetja, porse ndëgjojnë mirë, përmbushin nevojat e atyre që i propozojnë dhe emërojnë, nënshkruajnë çdo gjë që u vie përpara nga lartë, pa e analizuar fare dhe rëndom qëndrojnë të heshtur. Të tillët, ka plotë raste që me mendje nuk pajtohen dhe i prekë ndërgjegja për proceset që ndodhin sepse e shohin dhe vërtetojnë nga afër se punët nuk shkojnë mirë, mirëpo heshtin sepse ’’shefi u ka thënë që procesi është duke shkuar mirë’’, apo mashtrohen edhe duke iu përmendur procese edhe më të mëdha, e nganjëherë fatkeqsisht edhe ua “zë rrota bishtin” dhe nuk kanë sesi të ikin. Por heshtja apo mosveprimi nuk i shfajësojnë nga e keqja, edhe nëse ata nuk janë të tillë sepse në shumicën e rastve ata “djegen” politikisht dhe rruga e tyre e karrierrës vështirësohet.
Por kush në realitet duhet t`i drejtoj institucionet e tilla, në mënyrë që vendi të ecë përpara dhe shoqëria të prosperoj drejtë arritjeve, përkrahë vendeve të qytetëruara? Varësisht nga premtimet, planet dhe projektet që ka një parti politike që i fiton zgjedhjet, duhet ti emërojë edhe njerëzit në pozita. Aty ku sunon të bëj reforma dhe ta avancoj procesin duhet të emërohen njerëz kredibil, profesional, të dëshmuar dhe që kan një plan se si të ecet tutje. Nuk duhet të emërohen në pozita njerëz që nuk kanë plane, synime dhe vizion se si ta avancojnë atë institucion ku emërohen.

Në raste kur emërohen njerëzit profesional dhe kompetent në pozita, përveq që qevrisja dhe institucioni do të jetë më i mirë edhe llogaridhënja dhe transparenca do të rritet. Edhe liderët politikë dhe institucionalë do ta kenë më të lehtë arsyetimin për emërime të tilla, fillimisht para elektoratit të tyre që i ka sjellur në pushtet dhe pastaj është me lehtë edhe të fitohen zgjedhjet e ardhshme sepse rrjedhimisht edhe realizohen premtimet e dhëna. Mirëpo ka raste kur njerëzit kompetent edhe refuzojnë të drejtojnë pozita në institucione, dhe kjo ndodhë ngase ata nuk lejohen të punojnë, duke iu përzier lloj-lloj shefi. Logjikisht askush nuk duhet të shkoj aty ku nuk mund t`a implementoj planin e tij/saj. Shpeshë kemi parë edhe dorëheqje të njerëzve të tillë sepse nuk mund ta “ shikosh një kalama duke i treguar plakut sesi krehet mjekrra”. Përfundimisht njerëzit që kanë vizion, kompetencë dhe ekspertizë duhet të emërohen në pozita drejtuese, dhe të mbështeten nga liderët politik dhe institucional, natyrisht nëse janë të interesuar të punojnë mirë, nëse jo, atëherë le të vazhdojnë me avazinn e tyre.

Në fakt as partitë opozitare nuk reagojnë shumë kur ka emërime që për parim kanë ndëgjueshmërinë dhe fleksibilitetin, edhe nëse emërimet janë joprefisonale dhe kjo është e kuptueshme sepse atyre ju konvenon që institucionet të drejtohen nga të tillët, në mënyrë që ta kenë më të lehtë opozitarizmin dhe kjo i qon në avantazh për zgjedhjet e ardhshme. Këtu vlenë të përshkruhet një ngjarje e shkurtër për ta argumentuar sjelljen e spektrit politik karshi këtyre emërimeve.

“ Një gjeneral në front, pyet snajperistin e tij: çfar` mendon për snjaperistin e armikut? Ai i përgjigjet se është snajperist dështak, i cili na gjuan neve por asnjëherë nuk mund të na qëlloj. Pastaj gjenerali e pyet, pse atëherë nuk po e vret? Jo i thot snajperisti sepse frikësohem se do ta sjellin një tjetër profesionist dhe do të më vrasë mua!..”

Dhe dilema përfundon këtu: ’’disa njerëz mbrojnë njeriun e pasuksesshëm në pozitën e tij, që mos ta rrezikojnë veten e tyre”.