Një e vdekur në aksidentin në Artanë, në mesin e të lënduarve ka edhe fëmijë (Foto)

Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot në fshatin Stanishor të Komunës së Novobërdës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net se sipas hetimeve të para vetaksidenti ka ndodhur për shkak të kushteve atmosferike, ku drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është rrokullisur duke rënë jashtë rrugës.

“Sipas hetimeve të para në vendin e ngjarjes dyshohet se deri te vet aksidenti ka ardhur atëherë kur vetura, me tabela 06 ka qenë duke lëvizur në rrugën Novobërdë-Gjilan, në fshatin Stanishor, i njëjti ka qenë në veturë me katër anëtarë të familjes, bashkëshorten dhe tre fëmijët dhe dyshohet se për shkak kushteve atmosferike i njëjti ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe rrokulliset duke rënë jashtë rrugës, me ç’rast ka humbur jetën viktima F.K.SH., rreth 22-vjeçare”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton lajmi.net.

Policia ka bërë të ditur se të gjitha njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga ekipet mjekësore është konfirmuar vdekja e viktimës.

Të lënduarit e tjerë janë dërguar për ndihmë në spitalin rajonal në Gjilan.