Një grua zgjedhet për herë të parë presidente e Greqisë

Parlamenti i Greqisë ka zgjedhur sot për herë të parë në histori një grua si presidente të vendit.

Ish-gjyqtarja Katerina Sakellaropoulou u zgjodh sot si kryetare e re e shtetit, një rol që në Greqi është ceremonial dhe me kompetenca të kufizuara politike.

63-vjeçarja mori mbështetjen e 261 deputetëve në Parlamentin me 300 vende. Ajo u mbështet nga partia në qeveri, Demokracia e Re, opozita e majtë SYRIZA dhe aleanca e qendrës së majtë Lëvizja për Ndryshim (KINAL).

Sakellaropoulou do të marrë detyrën më 13 mars, kur përfundon mandati i presidentit aktual Prokopis Pavlopoulos.

Sakellaropoulou ka drejtuar deri më tani Këshillin e Shtetit, Gjykatë e Lartë Administrative e vendit. Ajo tha se ishte shumë e nderuar që ishte emëruar për presidente nga z.Mitsotakis në një fjalim televiziv të mbajtur dje, shkruan shekulli.

“Do t’i kushtoj të gjitha përpjekjet e mia kryerjes së kësaj detyre të lartë siç përcaktohet nga Kushtetuta”, tha ajo.