Një pyetje të cilës duhet, por nuk mund t’i përgjigjet kryeministri i ardhshëm Albin Kurti

Dialogu me Serbinë ka qenë arma më e fortë dhe dobësia më e madhe e Albin Kurtit gjatë veprimit të tij politik.

Ka qenë arma më e fortë sepse këtë e ka përdorur kundër rivalëve të tij politik, veçanërisht kundër Hashim Thaçit me moton “Jo Negociata, Vetëvendosje!”, si një levë nacionaliste e populiste për aktivistët e vet dhe për një pjesë të madhe të qytetarëve.

Por, dialogu me Serbinë ka qenë edhe pika më e dobët e tij, sepse për këtë çështje i është dashur që të ndërrojë shumë herë qëndrim, për t’u dukur më racional e më i pranueshëm edhe si burrështetas. Kështu që nga “jo negociata” ai ka kaluar në “bisedime me kushte” (10 pikëshi), pastaj tek “anulimi i marrëveshjeve”, Komisioni i Venecias, “bisedimet vetëm me serbët e Kosovës” etj. Të gjitha këto kanë qenë variantet (edhe kontradiktore) të Albin Kurtit për dialogun sa ai ka qenë opozitar.

Por si është puna tash kur ai është kandidati që ka fituar për kryeministër?

A mundet Albin Kurti t’i përgjigjet pyetjes tanimë të pashmangshme si udhëheqës i dialogut Kosovë-Serbi: A do të hyjë Albin Kurti në dialog me Serbinë me vullnet, sepse kjo do të ishte në të mirë të Kosovës, apo do të hyjë në dialog sepse është i detyruar nga faktori ndërkombëtar dhe kjo do të duhej (meqenëse me detyrim) të ishte në dëm të Kosovës?

Përgjigjja në këtë pyetje padyshim që determinon edhe sjelljet e tij në dialog, të mirat apo dëmet për Kosovën. /Fokusi.info/