Nora Gjakova: Majlinda na mësoi rrugën, trajneri Kuka na solli deri te medaljet

Kampionja olimpike, Nora Gjakova foli menjëherë pas momentit të fitores ndaj francezes Cysique ku i dha meritat që i takonin trajnerit Driton Kuka e gjithashtu nuk la pa përmendur edhe Majlinda Kelmendin që sipas saj ka qenë shumë e rëndësishme në rrugëtimin e saj.

“Po me duket e pabesueshme. Është ndjenjë e papërshkrueshme, kurrë nuk e kam besuar që sot do ta fitoj Medaljen e Artë Olimpike. Kam ardhë për të fituar por, kurrë nuk i dihet. Shpresoj që ky nuk është fundi i karrierës time, unë ende mendoj më vazhdu. Falemnderit Majlindës që na e ka hapë rrugën, sepse nëse ajo nuk na kish mësu të besojmë në këto ëndërra, unë ndoshta nuk do të isha sot këtu. Shumë kam pasë dëshirë që edhe Akili të jetë medalist. Së pari falënderoj zotin për këtë medalje. Falemnderit Tonit që është meritori kryesor për të gjitha këto suksese. Faleminderit familjes sime, që në të njëjtën kohë e kanë përshku këtë rrugëtim me ne sepse kanë pasur dy xhudistë në familje”, u shpreh kampionia dardane e cila i dha medaljen e dytë të artë Kosovës brenda një Olimpiade.