Nuk ishim, as nuk jemi të gjithë njësoj

Shkruan Liri Loshi

Respekt të pafund për dëshmorët dhe për familjet e tyre. Pa gjakun e tyre nuk do të fitohej liria. Liria nuk do të fitohej as pa gjakun e civilve të pafajshëm. Por, dua të them diçka që nuk është thënë deri më sot. Kur njerëzit thonë se të gjithë ata që kanë rënë në luftë, kanë qenë më të mirë dhe më të devotshëm se të gjithë ata që kanë mbetur gjallë, e thonë një mit dhe jo një të vërtetë absolute.

Nganjëherë kjo thuhet për t’i ngritur në maja të lartësive dëshmorët e lirisë dhe kjo është në rregull, sepse ata në ato maja e kanë vendin. Por, nganjëherë thuhet për ta devalvuar luftën tonë dhe kontributin e secilit nga ne që jemi gjallë dhe kjo nuk është në rregull.

Nëse ka një botë tjetër, gjë që unë nuk e besoj, të gjithë ne që kemi mbetur gjallë do të takoheshim një ditë me shokët tanë të luftës që nuk u mbijetuan plumbave të armikut. Ju siguroj se kur do të bëheshim “zbor”, ata nuk do të na shikonin me mosbesim, me dyshim a përbuzje të gjithë neve që kemi mbijetuar luftën dhe kemi gëzuar lirinë, siç na shikojnë sot mohuesit tanë. Përkundrazi, besoj se nderimi i tyre për ne do të ishte po aq i madh, po aq i thellë dhe po aq njerëzor sa është nderimi ynë për ta.

Nuk është aspak njerëzore që ushtarët dhe komandantët e ndershëm të futën në një thes me profiterët e luftës që sot për fat të keq po drejtojnë partitë politike dhe shtetin tonë. Në mesin e tyre ka edhe shumë vëllëzër dëshmorësh, por që nuk meritojnë as të quhen të tillë e lere më të trajtohen si vëllëzër të tyre. Ju sugjeroj që të mos mashtroheni nga heroizmat e tyre, madje as nga plagët që kanë marrë në luftë, sepse plagët që ata i kanë shkaktuar atdheut pas lufte janë shumë më të mëdha dhe shumë më të pasherueshme.

Kosova ka ende ish ushtarë dhe komandantë, ashtu siç ka plot njerëz të ndershëm që nuk ishin as ushtarë dhe as komandantë dhe që kurrë nuk do ta zhvatnin vendin e tyre as nuk do t’i tradhëtonin idealet për të cilat një kohë të gjithë luftuam së bashku.