Nuk kalon në Kuvend tërheqja e Trustit, e bllokon Vetëvendosja

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Kanë qenë deputetët e Vetëvendosjes ata që e kanë pamundësuar miratimin e këtij Projektligji që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Në seancë ishin të pranishëm 101 deputetë, kurse kanë votuar vetëm 97 prej tyre. Prej tyre kanë votuar 42 pro, 55 kundër dhe asnjë abstenim.

Më 15 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës ishin dorëzuar nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trustin, i cili do tu mundësonte qytetarëve tërheqjen e një pjese të parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale – Trust.

Këto nënshkrime iu janë nënshtruar verifikimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Një përpjekje tjetër dështoi, më 24 mars 2022 kur Kuvendi nuk ia dha dritën jeshile projektligjit për Trustin.

Projektligji ka ardhur si rezultat i iniciativës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësinë në të kaluar që të tërheqin Trustin.

Ka qenë viti 2020 kur vendi po përballej me krizë ekonomike shkak i masave izoluese të Qeverisë për shkak të rrezikut nga pandemia COVID-19.

Për ta zbutur krizën, ekzekutivi që atëherë drejtohej nga Avdullah Hoti kishte vendosur që Trustin ta vë në dispozicion të qytetarëve – duke e lejuar tërheqjen e 10 për qind të mjeteve për të gjithë.

Mbi 427 mijë qytetarë e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë për t’i mundësuar ekonomisë qarkullimin e një kapitali prej 198 milionë eurosh.