Nuk kalon rezoluta e PDK’së për situatën ekonomike si pasojë e COVID-19

Rezoluta e propozuar nga PDK-ja mbi situatën ekonomike në Kosovë si pasojë e pandemisë COVID-19, ka dështuar të kalojë në Kuvend pasi nuk mori votat e mjaftueshme.

Kjo rezolutë, e cila ka dalë pas debatit parlamentar ditë më parë për mbështetjen e bizneseve të prekura gjatë pandemisë, nuk mori më shumë se 14 vota të deputetëve, derisa kundër ishin 59.

Kuvendi në vazhdimin e sotëm të seancës plenare, me 71 vota pro ka miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për raportin e auditimit të performacës “Organizimi dhe menaxhimi i Investimeve të Teknologjisë së Informacionit në Institucionet Publike”.

Deputetja Arta Bajralia nga Vetëvendosje, në emër të Komisionit, ka paraqitur dhe arsyetuar rekomandimet, duke thënë se Qeveria duhet të kujdeset për harmonizimin e investimeve në sektorin e IT-së, pasi ato ndikojnë në menaxhimin më të mirë të parasë publike.

“Organizatat buxhetore të sigurohen që të marrin në pronësi kodet burimore për secilin aplikacion apo softuer të cilin ato e përdorin, e blejnë apo e marrin si donacion. Qeveria në ligjin e ri për pagat duhet ta ketë parasysh stafin e IT-së në mënyrë që këto kuadro të stimulohen për të qëndruar në institucionet publike. Qeveria të kujdeset për harmonizimin e investimeve në sektorin e IT-së në nivel qendror dhe lokal, duke pasur parasysh komunikimin në mes të sistemeve dhe harmonizimin me strategjinë e IT-së në nivel vendi”, tha Bajralia.

Deputetët po ashtu theksuan se investimet në teknologjinë e informacion lehtësojnë qasjen e qytetarëve për shërbime.

Këto rekomandime janë mbështetur edhe nga opozita, në këtë rast nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Deputetët po ashtu kanë formuar Komisionin ad hoc për zgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.