Nuk kalon sërish Projektligji për vlerat e luftës UÇK-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës serish nuk i dhanë mbështetje Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për Projektligjin për vlerat e UÇK-së votuan 37 deputetë, një votë ishte kundër dhe asnjë abstenim.

Për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e këtij projektligji, i njëjti mund të hidhet në votim në një rast tjetër.

Seanca nisi me përplasje rreth këtij projektligji. Gazmend Bytyçi nga PDK-ja dhe Time Kadrijaj nga AAK-ja ftuan për votimin e këtij projektligji, duke thënë se UÇK-ja meriton trajtim të mirë të të gjithëve.

Por, Rexhep Selimi, shef i Grupit parlamentar të VV-së, tha se pikërisht këtë po e bën partia e tij, duke mos i dhënë përkrahje.

Po ashtu, edhe Arben Gashi nga LDK-ja tha se me këtë projektligj nuk mbrohen vlerat e UÇK-së.

Ndërsa, Shefi i grupit të PDK-së, Bedri Hamza, tha se kjo parti është e gatshme që gjithçka qa vlerësohet që nuk duhet me pas dhe me shtu në këtë ligj, ata janë të gatshëm.

“PDK nuk po kërkon autorësi dhe pronësi mbi këtë ligj e kemi procedu si iniciativë me përputhje të Kushtetutës, po kërkojmë unitet dhe përkrahje që gjithçka qa vlerësohet që nuk duhet me pas dhe me shtu në këtë ligj ne jemi të gatshëm. Nuk jemi me cenur lirin e fjalës as besimit, por jemi këtu më i dhënë peshë edhe vlerë, një vlere ma sublime që ka pas kombi në historinë e Kosovës”, ka thënë Hamza.